Politika ka futur në agjendën e saj prioritare votimin e emigrantëve, duke diskutuar edhe modelet konkrete se si duhet të regjistrohen apo të votojnë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi propozimin e tij ku në qendër kishte teknologjinë jo vetëm në regjistrimin, por edhe në votimin, ndërsa aktorët politikë treguan vijat e kuqe. Por, si i sheh diaspora këtë projekt që i hap dritën jeshile pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje?
“Personalisht e përshëndes KQZ për këtë zgjidhje shumë konkrete dhe teknike. Është një poropozim i realizueshëm dhe teknikisht sipas standardit të standarteve dhe normave të sigurisë së Komunitetit Eruopian dhe ndërkombëtar. I mbetet Parlamentit dhe forcave politike të shprehin atë vullnet që gjithmonë na e kanë shprehur që duan të realizohet vota”, Anila Hyka, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës.
“Ne këtë kontekst gjykojmë se është një proces i kënaqshëm, duke pasur parasysh që ofrohet siguria për integritetin e votuesit dhe të votës. Mbetet patjetër që të shikojmë seriozitetin e palëve politike, gjithashtu aktualisht kemi të bëjmë vetëm me propozimin e KQZ, nuk kemi të bëjmë me propozim ligjor nga grupi dialogut apo partitë politike”, tha Bledi Milaqi, “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.
E ndarë për mënyrën se si duhet të votojnë emigrantët nuk është vetëm politika, por edhe diaspora. Por, ndryshe nga politika, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve mund të bëjnë kompromise në mënyrë që e drejta e tyre të garantohet në 2025.
“Gjithashtu ne jemi për votim me postë, votimi elektronik mund të ketë avantazhet dhe disavantazhet e veta, megjjthatë ne nuk mbetemi tek diskutimi teknik i çështjes. I bëjnë thirrje gjithë ligjvënësve ta marrin seriozisht votën e diasporës, pasi pa votën tonë nuk mund të ketë zgjedhje Kushtetuese në Shqipëri”, tha Arbër Lleshi, nga Lëvizja Dua të votoj në 2025.
Derisa politika të gjej dakordësinë nëse do të votojnë apo jo emigrantët në parlamentare e 2025, përfaqësuesit e tyre nëpër botë vijojnë tubimet përpara ambasadave shqiptare.