I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisi vizitën në Prishtinë. Mëngjesin e sotëm, zyrtari europian u pa duke hyrë në selinë e qeverisë për t’u takuar me kryenegociatorin e Kosovës, njëherazi zv.kryeministrin, Besnik Bislimi. Vizita e emisarit të Unionit synon përgatitjen e një raundi të ri të bisedimeve mes palëve në nivel kryenegociatorësh.
Kësaj here, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në Bruksel, pas Prishtinës, Lajçak nuk do ta vizitojë Beogradin. Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për sigurinë, Globsec, emisari europian u takua me presidentin serb, Aleksander Vuçiç në Pragë.
Bashkimi Europian ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës, që të përmbahen nga hapat e njëanshëm e të pakoordinuar që sipas Bllokut mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.
Bashkimi Europian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Gjermania kanë kritikuar Kosovën për ato që i quajnë “veprime të njëanshme e të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe”.
Kritikat u bënë pasi më 30 gusht, Prishtina zyrtare mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.
Bashkimi Europian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe përcjellim qartë mesazhet tona. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë asaj që kemi thënë më herët. Situata është mjaft e ndjeshme dhe mesazhi është që të shmangen hapat që mund të nxisin tensionet. Shpresojmë të zgjidhim këto çështje aty ku duhet. Vendi është në procesin e dialogut.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit. Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.
Përfaqësues të Listës Serbe, dje mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me ftesën që morën nga autoritetet e Kosovës. Nga kjo parti, thanë se do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese. Autoritetet konfirmuan se do të intervistohen pesë persona nga pesë institucionet paralele serbe, që u mbyllën muajin e kaluar. Ata janë zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Në konferencën për media, Igor Simiç, foli për “përndjekje politike” e “persekutim të popullit serb”.