Rajoni

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak optimist me disa përparime!

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se ndihet “optimist për pak përparim të arritur në disa çështje me rëndësi” gjatë një takimi të kryenegociatorëve, javën e kaluar në Bruksel. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, nuk arritën pajtueshmëri për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje gjatë takimit të tyre trepalësh me Lajçakun të enjten në Bruksel, por ranë dakord në disa çështje të tjera.

Në një postim në Facebook, Lajçak shkruan se edhe pse nuk u arrit ndonjë rezultat për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së vitit të kaluar, është optimist për atë pak përparim të arritur në disa çështje të rëndësishme, për të cilat do të vazhdojnë punën në javët në vijim.

Pas takimeve të së enjtes, Bislimi njoftoi se palët u pajtuan mbi disa çështje, përfshirë themelimin e një grupi pune, që do të harmonizojë rreth 20 certifikata veterinare, që përdoren për kalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë. Në të kaluarën, Kosova akuzonte Serbinë se ka penguar mallrat dhe bizneset kosovare që kalojnë tranzit nëpër territorin serb, pasi Beogradi nuk njeh certifikatën fitosanitare të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Gjatë takimit, Lajçak i njoftoi se Serbia është zotuar se deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkonjeksionit, që ka qenë një marrëveshje e energjisë e vitit 2022.

Pas mbi tre muajsh, takimi i së enjtes ishte i pari mes Bislimit e Petkoviçit, por përsëri dështuan të arrijnë dakordësi mbi mënyrën si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. Duke folur pas takimit, Bislimi u shpreh:

Në fokus ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023. Fatkeqësisht, për temën kryesore që jemi mbledhur, nuk ka rezultat. Me gjasë, Serbia ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, “ne bëjmë diçka, ju bëni diçka”.

Kryenegociatori serb Petkoviç theksoi se Beogradi “nuk po ikën” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që duhet të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova shprehet se së pari, “kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet” edhe pse BE-ja thotë se “është detyruese për palët, pavarësisht nënshkrimit”, si dhe e ka akuzuar Serbinë se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të akordit.