Në vendin tonë mbërritën testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmunëve apo kontakteve të tyre. Tashmë, testimet për linë e majmunëve do të kryhen në Shqipëri. Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ndërsa vizitoi sot Laboratorin e Referencës në Institutin e Shëndetit Publik.
Në Laboratorin e Referencës në Institutin e Shëndetit Publik, tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike. Pra, do të kemi mundësi që pikërisht në këtë laborator, pa i çuar në të referencës, të mundet të testojmë raste e kontaktet e dyshuara. Bashkëpunimi me laboratorët e referencës do të vijojë.
Mbi monitorimin e situatës, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dr.Eugena Tomini tha:
Kemi sërish një survejancë të angazhuar, duke shtuar kapacitetet diagnostike në Institutin e Shëndetit Publik. Për më tepër, diagnoza kryhet në vend, pavarësisht se kemi vazhdimisht komunikim me rrjetin e laboratorëve të referencës në Europë, për ta konfirmuar.
Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Shqipëria vlerësohet me risk të ulët sa i përket lisë së majmunëve, sëmundje për të cilën Europa është në alert. Në mbi 29 vende janë konstatuar më shumë se 1 mijë e 700 raste.
Lidhur me modernizimin e laboratorit të ISHP-së, ministrja Manastirliu bëri të ditur se pritet të forcohen kapacitetet me një aparaturë moderne për sekuencimin e genomit.
Deri në vjeshtë, duam të kemi gjithashtu një tjetër aparaturë moderne në ISHP, sekuenciatorin genomik. Pra do të kemi mundësi që në këtë laborator të mund të sekuencojmë genomin. Me Institutin e Shëndetit Publik po punojmë për të përfunduar edhe masterplanin e të gjithë korpusit të Institutit të Shëndetit Publik, përfshirë godinën qendrore e një të re, që do të jetë kulla e laboratorëve.
Për situatën epidemiologjike ku ditët e fundit ka një rritje të rasteve pozitive me COVID-19, i bëri apel qytetarëve, të vijojnë të vaksinohen.