Vera e kaluar ishte plot me projekte të reja që u kthyen menjëherë në hite të padiskutueshme. E ndër to spikatën dhe shumë bashkëpunime mes artistëve më në zë. Një ndër këto bashkëpunime ishte dhe “Gajde” mes Dhurata Dorës dhe Elvana Gjatës.
Mesa duket tani dy artitet do të vijnë sërish me një tjetër bashkëpunim. Por këtë herë me një impakt më të madh, duke synuar të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion 2023. Lajmi është bërë i ditur nga faqja në Instagram “Eurovision Kosovo”, të cilët shkruajnë se jo zyrtarisht mësohet se Elvana dhe Dhurata janë pranuar të jenë pjesë e FEST61, ndërsa RTSH-ja ka vendosur që për herë të parë kënga fituese e Festivalit të Këngës të zgjidhet edhe përmes televotimit.
Ajo që ka shtuar më shumë dyshimin se lajmi mund të jetë i vërtetë është një “like” në listën e njerëzve që e kanë pëlqyer postimin, pikërisht nga Ilir Balija, menaxheri i Dhurata Dorës, por gjithsesi pritet konfirmimi zyrtar, që me gjasë do të vijë pas disa ditësh kur të publikohen projektet pjesëmarrëse në Festival. Diçka është e sigurtë! Nëse lajmi rezulton të jetë i vërtetë dhe Dhurata Dora me Elvana Gjatën do të konkurrojnë për të na përfaqësuar në Eurovizion, ato do t’i vënë flakën skenës!
Rikujtojmë se, Shqipëria, me këngëtaren Ronela Hajati hapi mbrëmjen e parë gjysmëfinale të Eurovizion 2022. Me energjinë e saj, potencën vokale dhe ritmet e këngës “Sekret”, Ronela Hajati ndezi skenën, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që ajo të merrte votat e publikut për të shkuar në finale.
Duartrokitjet e publikut në sallë ishin të shumta, megjithatë ato nuk ndikuan për të shtuar votat për këngën shqiptare. E teksa shpesh këngëtarja është kritikuar në rrjete sociale lidhur me këngën dhe performancën e saj, por sërish “Sekret” vazhdon të jetë shumë e klikuar dhe kënga të dëgjohet kudo pavarësisht komenteve.