Aktualitet

Dhunuan efektivët, arrestohen dy vëllezër në Shkodër!

Dy vëllezër u arrestuan në Shkodër, të akuzuar se kanë kundërshtuar me forcë dhe dhunuar efektivët e forcave “Shqiponja”, pasi nuk iu bindën urdhrit për të ndaluar për kontroll. Në pranga përfunduan Marjan e Mateo Doçi, përkatësisht të moshave 29 dhe 38 vjeç, të ndaluar se kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të tyre në mjediset e policisë.

Nën hetim për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë është edhe një 19-vjeçar që drejtonte makinën e tentoi të largohej me vrap, por u ndalua nga uniformat blu. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar:

Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, efektivët e “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme.

Automjeti drejtohej nga shtetasi E.L., 19 vjeç, i cili është gjithashtu nën hetim për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë, ndërsa pasagjerë ishin dhe dy vëllezërit Doçi. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është ndaluar nga policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.