Aktualitet

Dhunonte djalin dhe iu kap arsenal armësh, arrestohet 60-vjeçari në Fier!

Një 60-vjeçar u arrestua nga Policia e Fierit, i akuzuar se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht djalin e tij. Përshkallëzimi i konfliktit nga uniformat blu u parandalua në kuadër të operacionit të koduar “Danger”.  Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit, policia gjeti një arsenal armësh (një armë zjarri automatik, një armë zjarri pushkë, dy armë gjahu), 12 krehra, si dhe municion luftarak.  Shtetasi me iniciale S.G, banues në Fier, u arrestua për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Njoftimi zyrtar i policisë Fier:

Fier/Reagimi i menjëhershëm i Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale në familje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Danger”. Gjatë operacionit u vu në pranga një 60-vjeçar që ushtronte dhunë ndaj djalit të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë reaguar menjëherë pas njoftimit të marrë se një 60-vjeçar ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij. Falë reagimit në kohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit midis këtij shtetasi dhe djalit të tij.

Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh (1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 armë gjahu), 12 krehra dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 60 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.