Aktualitet

Dhunohet me shkop bejsbolli polici i Burgut 313 në Tiranë!

Shkop bejsbolli në kokë, dhunohet efektivi i Burgut 313 në Tiranë, i cili po dilte nga banesa për të shkuar në punë. Polici Arbër Labi u godit nga tre persona ende të paidentifikuar në afërsi të banesës së tij në Yzberisht, në rrugën “3 Dëshmorët”. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Të dëmtuarit iu mor edhe arma e shërbimit nga agresorët që u larguan me një mjet fuoristradë ngjyrë të bardhë. 36 vjeçari u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e Tiranës njofton se po punon për identifikimin e kapjen e autorëve, si dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 28.09.2024, rreth orës 05:00, në rrugën “Tre Dëshmorët”, Yzberisht, shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në Yzberisht, (punonjës pranë burgut 313) sapo ka dalë nga banesa është goditur dyshohet me sende të forta nga tre persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë armën e shërbimit dhe më pas janë larguar.

Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Po hetohet dhe pista e ndonjë konflikti me persona të tjerë, që nuk ka lidhje me punën si efektiv burgjesh. Labi punonte edhe në lokale nate, ku mund të ketë pasur ndonjë konfliktit me autorët që më pas e dhunuan.