Sekretariati i Etikës ka marrë vendimin që të përjashtojë 60 ditë tre deputetët e PD, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, pas tensioneve dhe kaosit në Paralment të hënën, ku u dogjën jashtë Kuvendit edhe karriget.
Ndërkohë deputeti tjetër, Edi Paloka u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit, ndërsa të tjerët me 40 ditë.
Kujtojmë që ditën e djeshme, PS kerkoi masë disiplinore për: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Çfarë ndodhi gjatë ditës?
Deputetët e Partisë Demokratike kanë krijuar sërish kaos në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës, ku PS kërkon përjashtimin e 24 prej tyre, pas veprimeve të dhunshme dhe kaosit në seancën parlamentare të 30 shtatorit.
Protagonisti kryesor i kaosit ishte sigurisht Flamur Noka, i cili nuk lejoi kryetaren Klotilda Bushka të flasë duke i marrë asaj mikrofonin. Pas tensioneve, Bushka dhe socialistët po vijojnë mbledhjen vetëm dhe po shqyrtojnë pamjet filmike të seancës së 30 shtatorit.
“Nuk ka ulur këtu! Asgjë. Me Krimin e hajdutët nuk flitet vetëm veprohet. Nuk na përjashton dot krimi i organizuar. Ju jeni hajdutët e këtij vendi”, tha Noka në kryesinë e Kuvendit duke mos lejuar mbajtjen e mbledhjes.
Pritet që Partia Demokratike të mos lejojë zhvillimin e seancës as ditën e nesërme. Flamur Noka para se të mblidhej Sekretariati i Etikës në Kuvend tha se radhën tjetër e ka Kryesia. Po ashtu, Bardhi në një prononcim për mediat tha se nesër nuk do lejojnë normalitet në seancën plenare.
Kuvendi ka deklaruar se deputetët e opozitës do të paguajnë dëmet e shkaktuara në sallë, nga paga e tyre e cila do t’i mbahet automatikisht nëse nuk e japin vullnetarisht. Në faturë do të përfshihen edhe dëmet në pajisje elektronike, mikrofonë, foltore dhe ekrane. Vetëm kostoja e një pajisjeje votimi është mbi 2 mijë euro, megjithatë Grupi i Punës në Kuvend do ta mbarojë evidencën brenda datës 8 tetor. Një karrige është blerës 35 mijë lekë.