Aktualitet Politikë

Dhunë dhe zjarr, opozita përsërit skenarin e dhunës para Bashkisë Tiranë!

Sot po mbahet protesta e radhës e opozitës te Bashkia Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj pas arrestimit për korrupsion të disa drejtorëve e ish-drejtorëve të institucionit me urdhër të SPAK-ut.

Edhe kësaj here, skenari mbetet i njëjtë. Pjesëmarrësit i vunë zjarrin disa gomave duke shkaktuar flakë e tym të zi. Po ashtu, qëlluan me flakadanë murin e godinës. Ndërkaq, para godinës qëndojnë policë të shumtë.

Po ashtu ka bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor. Policia sugjeron që të përdoren rrugë alternative deri në përfundim të tubimit, të tilla si Unaza e Mesme dhe ajo e Madhe. Më herët, uniformat blu apelonin të shmangeshin aktet e dhunës siç kanë ndodhur në protestat e kaluara.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.

Në protestë, Adriana Kalaja nga Aleanca e Mbrojtjes së Teatrit u shpreh:

Të dashur qëndrestarë, protestues! Ne prej 12 vitesh nuk na ka zmbrapsur asgjë dhe nuk do te mundet as policia e krimit dhe drogës e narkoshtetit të na zmbrapsë. Duhet të largohen banditët me uniforme policie nga këtu!

Zoti Tonin Vocaj, largo nga radhët e policisë banditët që godasin e dhunojnë qytetarët! Ashtu siç ju premtojmë se shumë shpejt Erion Veliaj dhe Edi Rama do të jenë para ligjit, edhe ju policë që nuk njihni ligj dhe Kushtetutë do të jeni para ligjit. Për çdo akt dhune ndaj qytetarëve, ju do të përgjigjeni para ligjit!