Një protestues u arrestua dhe 5 u shoqëruan për aktet e dhunës në protestën e thirrur nga PD-ja. Burime bënë të ditur se 7 të tjerë janë në kërkim për hedhjen e molotovëve drejt selisë së PS-së, Kryeministrisë, ministrive e Bashkisë Tiranë. Mes atyre që u përfshinë në akte dhune u dokumentua pjesëmarrja e shumë të rinjve që u shfaqën të maskuar.
Zgjati mbi tre orë e prodhoi dhunë protesta e opozitës me moton “Mosbindje Civile”. Që në fillim pati konfrontim te Kryeministria, me të parët deputetët demokratë që u përplasën me uniformat blu në kordonin te selia e qeverisë. Protestuesit hodhën kapsolla e molotov drejt Kryeministrisë dhe gjithashtu në selinë e Partisë Socialiste.
Protesta u mbyll rreth orës 21:20, me pjesëmarrësit e mbetur që u mblodhën në selinë blu. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka tha se kjo ishte dita e parë që “mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës”. Sali Berisha reagoi në rrjetet sociale. “Beteja e mosbindjes civile kundër narko-diktaturës vazhdon”, – shkroi kryetari demokrat.
Pas protestës, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha vizitoi te Trauma tre policë të lënduar. Për përgjigjen e Policisë së Shtetit ndaj tubimit, të cilin e quajti “të dhunshëm”, Hoxha tha se ishte konform ligjit. Edhe nëse do të ketë të tjera protesta si kjo, ministri vuri në dukje se përgjigjja e policisë do të jetë në proporcion me aktet e dhunës së protestuesve.
Pavarësisht absurditetit të shfaqjes së një “mosbindjeje civile”, që fyen inteligjencën e çdo qytetari të këtij vendi, Policia e Shtetit e kreu detyrën konform praktivave më të mira demokratike. Orkestruesit e kësaj shfaqjeje jocivile sonte (7.10) do të flenë në shtëpitë e tyre dhe nuk do ta prishin gjumin, as për të çoroditurit nga bllofi i “mosbindjes civile” që natën do ta kalojnë si persona në kërkim për aktet e tyre të paligjshme.
Çdo akt është i dokumentuar dhe çdo autor aktesh antiligjore është tanimë subjekt i organeve ligjzbatuese. I garantoj qytetarët e këtij vendi se bllofi i mosbindjes civile nuk do të prodhojë asgjë tjetër, përveç përgjigjes proporcionale dhe shteruese të ruajtësve të ligjit ndaj shkelësve të ligjit.
Pas përplasjeve të dhunshme që ndodhën gjatë protestës së opozitës, ku u hodhën molotovë nga disa protestues, ekspertë të policisë shkuan në selinë e Partisë Socialiste për të mbledhur prova. Zjarri shpërtheu pas hedhjes së njëpasnjëshme të molotovëve, duke rrezikuar jetën e të pranishmëve.