Aktualitet Politikë

Dhuna në Kuvend pas burgosjes së Salianjit, reagon ambasadori Gonzato!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë reagoi ndaj veprimeve të dhunshme të opozitës, dje në Kuvend, në kuadër të aksionit pas burgosjes së Salianjit. Silvio Gonzato shprehu keqardhje. Diplomati tha se është për të ardhur keq që për një çështje tjetër, disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare.

Gonzato tha se “në një demokraci funksionale si Shqipëria, pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të dhënë mendimin”. Ambasadori europian kërkoi që deputetët e Kuvendit të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë.

Më herët, reagoi ministri i Brendshëm. Ervin Hoxha paralajmëroi referim në SPAK për shkak të cilësive të veçanta të deputetëve. Ministri theksoi se “pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e të drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, rrezikimi i jetës së deputetëve, shkatërrimi me zjarr i pronës publike ishin akte të rënda dhune e vandalizmi”. Për to, sot PS-ja depozitoi kërkesë për përjashtimin e 24 deputetëve demokratë.

Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi, nënvizoi ministri Hoxha.

Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht. Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta që kanë deputetët.