Aktualitet Politikë

Dhuna në Kuvend, ministri Hoxha: Do të referohet në SPAK!

Në një reagim lidhur me aktet e dhunës të ushtruara dje në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha paralajmëroi referim në SPAK për shkak të cilësive të veçanta që kanë deputetët. Ata të Partisë Demokratike, dje pasdite shkaktuan kaos në seancë plenare, në kuadër të aksionit opozitar pas dënimit nga Apeli të Ervin Salianjit me 1 vit burg për kallëzim të rremë lidhur me çështjen Babale. Salianji u dërgua në burgun e Fierit.

Ministri Hoxha theksoi se “pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e të drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, rrezikimi i jetës së deputetëve duke i goditur me mjete të forta, shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”.

Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi, nënvizoi ministri Hoxha.

Po ashtu vuri në dukje se “Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda apo në dyert e tij, është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht”.

Në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit. Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare, ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese, shtoi më tej Hoxha.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta që kanë deputetët.