Aktualitet

Dhuna ndaj avokatit Mëngjesi, Vishaj: S’ka nuanca politike!

Kreu i Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj tha sot se dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, nuk ka nuanca politike, por është një tentativë vrasjeje për shkak të detyrës. Sipas tij, “goditja ndaj një funksionari të drejtësisë është goditje ndaj shtetit”.

Ai aktualisht, me lot në sy e them, është në gjendje të rëndë, është vendosur në intubim. Ne sot lutemi dhe shpresojmë që të dalë nga gjendja e komës e të përmirësohet shëndeti i tij. Ajo që na shqetëson sot është që vënia dorë ndaj njerëzve të drejtësisë, sidomos ndaj avokatëve.

Kemi çdo javë nga një avokat të dhunuar, kemi nga një avokat të dhunuar, gjyqtarë të dhunuar, mbase dhe prokurorët dhe gjyqtarët kanë nga një masë sigurimi. Njerëzit duhet të kuptojmë që ato ofrojnë shërbimin. Ofrimi i shërbimit ndaj njërës palë s’do të thotë se dëmtojnë interesat e palës tjetër në mënyrë personale. Kjo nuk ishte një rrahje, por ishte tentativë vrasje në krye të detyrës.

I them skeptikëve që e lidhin ngjarjen me çështje politike, duke i dhënë nuanca politike, se s’ka lidhje as majtas, as djathtas. Ngjarja është për shkak të detyrës së tij funksionale. Ajo që ne të gjithë së bashku, edhe ju gazetarët, duhet t’i lutemi Zotit, që profesori të dalë nga koma.

Sipas Vishajt, nga kjo ngjarje duhet të ishte ngritur i madh dhe i vogël.

Të gjithë duhet të ishin në këmbë për një shërbim të veçantë, siç është avokatia. Pa avokat, s’ka drejtësi.

Një ditë pasi u dhunua barbarisht në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, vijon e rëndë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi. 45-vjeçari i cili u godit me leva e doreza hekuri për shkak të detyrës mbahet në monitorim mjekësor në Reanimacionin e Spitalit të Traumës në kryeqytet. Pasi la fëmijën e tij në kopësht, dje në zonën e ish-Bllokut, Mëngjesi u dhunua nga tre persona të identifikuar nga policia si shtetasit Dorian Alia, Elton Kasaj e Drivaldo Aliaj. Një person i katërt, Romario Tabaku akuzohet se siguroi largimin e tyre nga vendngjarja.

Siç bëri të ditur, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, goditja ndaj Sokol Mëngjesit erdhi për shkak të detyrës. Mëngjesi përfaqësonte një familje, në një çështje prone të fituar në procese gjyqësor në Shkallën e Parë e në Apel, por njëri prej pjesëtarëve të familjes nuk pranonte ta paguante duke mos iu përmbajtur kontratës.

Kjo mosmarrëveshje shkoi deri në dhunimin e avokatit, i cili nuk ishte tërhequr ndaj detyrimeve kontraktuale me Dritan Nanon.