Aktualitet Showbiz

Dhuna barbare ndaj Medi Isenit, Noizy paraqitet në policinë e Pejës!

Reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është paraqitur sot në stacionin policor në Pejë.

Mediat kosovare kanë publikuar pamje nga momenti i paraqitjes së Noizyt në Polici, muaj pas sulmit brutal fizik ndaj Medi Isenit.

Zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë se prokurori i rastit pritet të lëshojë aktvendim për ndalimin për 48 orë të reperit nga Shqipëria.

I dyshuar për përfshirjen në sulmin brutal fizik ndaj Medi Isenit, më 2 gusht të këtij viti në Pejë, Noizy ishte arratisur nga Kosova për t’u arrestuar në Shqipëri pesë ditë më vonë.

Përleshja që për përfundoi me dy të plagosur

Sherri mes pjesëtarëve të grupit “OTR” dhe personazhit të njohur të “TikTok”-ut, Muhamet Iseni, i njohur si Medi nisi në orët e para të mëngjesit të 2 gushtit, në një klub nate në Pejë.

Shkak dyshohen videot në “TikTok” të Medit, i cili prej kohësh ofendonte reperat Noizy e Stresi, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sherrin dhe nuk kanë ndërhyrë për të rrahur Medin Isenin, me të cilin kishin zënka në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Iseni pretendon se “u pre në besë” nga Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizy-n dhe grupin e tij.