Aktualitet Politikë

Dhuka: 118 masa reformuese për përmirësimin e funksionimit të institucioneve!

Komisioni për Çështjet Evropiane shqyrtoi draft-udhërrëfyesin “Për funksionimin e institucioneve demokratike”. E pranishme sot në mbledhje, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, u shpreh se ky udhërrëfyes ka në qendër Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Ai parashikon 118 masa reformuese për përmirësimin e demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve, nga të cilat 59 masa kanë lidhje me përmirësimin dhe mirëfunksionimin e Kuvendit. Grupi i dytë i masave dhe reformave që trajton udhërrëfyesi është i lidhur me procesin zgjedhor dhe çështja e tretë është roli i shoqërisë civile, si në procesin ligjbërës, politikbërësit, por dhe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Ky udhërrëfyes është një dokument strategjik dhe politikbërës i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Institucionet kryesore, të cilat janë të përfshira në hartimin e tij, por dhe mbi të gjitha në zbatimin e tij, janë Kuvendi, çështjet e lidhura me funksionimin e Kuvendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Ministria e Mbrojtjes Sociale, sa i përket politikbërjes në fushën e shoqërisë civile, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Agjencia për Mbështetjen e Pushtetin vendor, Ministria e Financave dhe një numër institucionesh të tjer

Sa i përket funksionimit të Kuvendit, angazhimet vijnë pas përfundimit të procesit të diagnozës me Bashkimin Europian, i njohur ndryshe në gjuhën e negociatave si screening, ku dhe ekipi i Kuvendit të Shqipërisë ka marrë pjesë, si pjesë e ekipit kombëtar të negociatave në Bruksel.

Eshtë bërë një analizë e thelluar për të identifikuar hapësirat e reja të përmirësimit dhe reformimit të funksionimit të Kuvendit dhe Shqipëria po merr përsipër, duke filluar nga ky diskutim me ju sot, një numër angazhimesh në këtë drejtim.

Sa i përket funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, Majlinda Dhuka theksoi se angazhimet shtrihen së paku në tre drejtime.

Së pari janë një numër masash reformuese që kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien. Së dyti, janë masa të lidhura me forcimin e integritetit të deputetëve të Kuvendit dhe të Kuvendit si organi përfaqësues. Dhe së treti lidhen me efektivitetin e punës së Kuvendit.