Bota

Dhjetëra të plagosur në Harkiv e Shevçenkivski nga sulmet ruse në Ukrainë!

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan sot se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 71 nga 80 dronët sulmues rusë të lëshuar në orët e fundit.

Gjashtë dronë të tjerë u neutralizuan nga pajisjet elektronike.

Gjithashtu, Kievi njoftoi se Rusia lëshoi dy raketa nga pjesët e pushtuara të rajonit të Luhanskut në Ukrainë, por nuk dha detaje se çfarë ndodhi me to.  Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se njësitet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 15 dronë që Ukraina hodhi gjatë natës.

Pati edhe shpërthime në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës e ku një bombë goditi objekte banimi, duke plagosur të paktën 20 persona. Bilancin e konfirmoi kryebashkiaku Ihor Terekhov.

Natën e së shtunës, ranë bomba edhe në distriktin Shevçenkivski, në verilindje të Ukrainës, siç informoi guvernatori Oleh Syniehubov. Godinat e banimit me 9 dhe 16 kate u shkatërruan. Shtatë ndërtesa të tjera u dëmtuan.

21 persona u plagosën, përfshirë një djalë 8 vjeç, dy 17-vjeçarë dhe disa të rritur.

Një tjetër bombardim, natën e së premtes, plagosi 15 vetë, përfshirë dy fëmijë të moshave 10 dhe 12-vjeç ndërsa sulmet ajrore ruse goditën tri lagje në Harkiv. Sipas zyrtarëve ukrainas, bombat ajrore të tipit KAB u përdorën për sulmet. Të prodhuara në kohën e Bashkimit Sovjetik e të modifikuara prej muajsh me radhë, ato kanë shkaktuar dëme të mëdha në Ukrainën lindore.

Presidenti ukrainas Zelensky nuk ka dyshime se përfundimi i luftës me Rusinë varet nga “vendosmëria” e aleatëve perëndimorë të Kievit në sigurimin e armëve të nevojshme. Ai vazhdon të theksojë se “Perëndimi duhet ta lejojë Ukrainën që t’i përdorë armët e fuqishme për të goditur thellë brenda Rusisë”, veprim që në fakt kundërshtohet nga Uashingtoni.

Presidenti ukrainas vuri në dukje se takimet që javën e ardhshme do të ketë në Shtetet e Bashkuara mund të jenë “vendimtare” për ndalimin e agresionit rus ndaj vendit të tij dhe përfundimin e luftës.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Rusia po planifikon sulme ndaj objekteve bërthamore të Ukrainës në prag të dimrit. Kryediplomati ukrainas, Andriy Sybiha, iu bëri thirrje vendeve aleate dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike, që të krijojnë misione të përhershme vëzhgimi në centralet bërthamore të Ukrainës.