Aktualitet

Dhërmi, kapet estonezi që shiste drogë në klubet e natës!

Në jug të vendit u vu në pranga një 32-vjeçar nga Estonia, të cilit iu gjetën droga të forta si kokainë, ekstazi, GHB e poppers. Blutë sekuestruan sasinë e lëndëve narkotike në dhomën ku qëndronte shtetasi estonez në Dhërmi. Qëllim kryesor ishte shitja e drogës në lokalet e natës.

Njoftimi zyrtar: 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte droga të forta me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe, si rezultat, kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin e huaj O.G, 32 vjeç, banues në Estoni.

Gjatë kontrollit fizik dhe në dhomën ku ky shtetas qëndronte, në Dhërmi, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura sasi me droga të forta, kokainë, ekstazi, GHB dhe poppers, të cilat dyshohet se 32-vjeçari i posedonte me qëllim shitjen kryesisht në lokalet e natës, në Dhërmi.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Më herët, po në vijim të megaoperacionit të koduar “Tempulli 3”, në Lezhë u arrestuan tre persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë nëntë të tjerë. Policia njoftoi se u sekuestruan dhjetëra doza të lëndëve narkotike të llojeve kokainë, ekstazi e cannabis sativa. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Si rezultat, vihen në pranga tre shtetas dhe procedohen penalisht nëntë të tjerë, për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike.  Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike kokainë, ekstazi dhe cannabis sativa.

Në vijim të zbatimit të masave të përcaktuara në megaoperacionin policor mbarëkombëtar “Tempulli 3”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Focës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontrolle në disa automjete dhe shtetas, që lëviznin në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin.

Si rezultat i kontrolleve, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E.M, 18 vjeç, banues në Lezhë dhe një 16-vjeçar, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin lëviznin, policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza cannabis dhe ekstazi. Si dhe shtetasi V.M, 24 vjeç, banues në Prishtinë, pasi gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit:

A.M, 44 vjeç, J.T, 44 vjeç, P.K, 49 vjeç dhe L.P, 21 vjeç, banues në Zvicër;

W.H, 28 vjeç, banues në Francë; J.Ch, 33 vjeç dhe J.K, 34 vjeç, banues në Angli;

A.B, 21 vjeç dhe I.O, 27 vjeç, banues në Prishtinë.

Këtyre shtetasve, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, doza të lëndëve narkotike kokainë, ekstazi e cannabis sativa.

Megaoperacioni policor “Tempulli 3” vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.