Pak muaj më parë, këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Bujar Qamili, kaloi me sukses betejën kundër COVID-19. Pas komplikacionesh të shumta, ai u dërgua me urgjencë në Itali ku dhe mori të gjithë trajtimin e nevojshëm. Ai deklaroi se gjendja e tij shëndetësore ka qënë shumë e rënduar dhe se ishte në koma për ditë me rradhë.
Këngëtari ka zbuluar se gjatë kohës që ishte në intubim u bë shumë agresiv, aq sa mjekët italianë u detyruan t’i lidhnin duart pasi ai dilte jashtë kontrollit. Së fundmi, i ftuar në një emision televiziv, ai u shpreh pak më shumë mbi situatën me të cilën i duhej të përballej:
Po ta tregoj, por nuk kam qejf ta kujtoj më, ka qënë një moment jashtëzakonisht i vështirë, një moment që është një shprehje shqiptare “armikut mos ia pafsha”. Kaq i rrezikshëm është e kaq keq kam kaluar, të paktën një muaj e gjysmë isha në gjendje shumë të rëndë dhe kam qëndruar për disa ditë me rradhë në reanimacion, në gjendje kome derisa jam përmendur, por shansi i madh i imi ka qënë që mjekët italianë më kanë qëndruar pranë dhe më sollën edhe njëherë në jetë. Duket sikur i kemi dëgjuar shpesh ato shprehjet që thonë “do të vdesësh, po do të ringjallesh, do të vish edhe njëherë” e mua më duket, sinqerisht ma beso, më duket sikur kam ardhur.