11 urdhër-arreste të lëshuara, 10 të arrestuar për kokainën në Fier. 430 kg drogë mes 24 tonëve pleh kimik. SPAK dha detaje për operacionin. Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, “ky është regjistrim i shënuar në korrik të këtij viti”.
Vlen për t’u theksuar se ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me shumë agjenci ligjzbatuese jashtë vendit, por sidomos me autoritetet e Malit të Zi. Hetimi ka qenë proaktiv dhe një veçori tjetër është qëndrueshmëria e grupit për t’i shkuar deri në fund hetimit, qoftë aktorëve, mekanizmit, organizimit deri në ditën e djeshme që u realizua ndërhyrja.
Prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi dha detaje në lidhje me operacionin e finalizuar në Fier, ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës që vinte nga Kolumbia, me porositës shtetas shqiptarë.
Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e materialit referues të dërguar më datë 29.07.2022, nga Departamentit i Policisë Kriminale pranë Policisë së Shtetit, ka regjistruar procedimin penal Nr.141 të vitit 2022, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal” të parashikuar nga nenet 283/a dhe 333/a të Kodit Penal.
Ky procedim është hetuar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në bashkëpunim me autoritetet malazeze, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit, referuar informacioneve që disponoheshin lidhur me një ngarkesë të dyshimtë me “pleh-organik” artificial, e cila ishte paketuar dhe ngarkuar në një kontejner që do transportohej me anije nga Kolumbia, përmes Portit të Pireut/Greqi, me destinacion tranzit portin Bar/Malin e Zi, për marrës një shtetas nga Shqipëria.
Nga verifikimet e kryera rreth shtetasit shqiptar, rezultoi se në fillim të vitit 2022, kishte regjistruar një biznes në emër të tij me objekt të aktivitetit, ndër të tjerave edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë. Më konkretisht sasia me “pleh-organik”, në muajin maj 2022 pasi ngarkohet në kontejner, nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi, dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022, e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022.
Pasi është zhdoganuar ngarkesa me “pleh-organik”, nën koordinimin e vazhdueshëm të personave nën hetim është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri, dhe ditën e djeshme më datë 24 nëntor 2022, është bërë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese në Farkë të Madhe Fier.
Për interesa të këtij procedimi penal rezulton se Prokuroria e Posaçme, krahas veprimeve hetimore, ka pranuar kërkesën e autoriteteve malazeze të drejtësisë, duke autorizuar kryerjen e veprimit simuluese atë të “dorëzimit të kontrolluar”, me qëllim dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, identifikimin e grupit të personave që kanë organizuar dhe financuar blerjen e ngarkesës, kanë mundësuar përzierjen, blerjen e sasisë së dyshuar të lëndës narkotike të llojit kokainë në Kolumbi, si dhe kanë mundësuar transportimin e saj deri në Shqipëri.
Me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të “ngarkesës” brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë, pagesat e realizuara për blerjen, transportimin dhe zhdoganimin e saj, personat që do kujdeseshin për pritjen dhe marrjen në dorëzim të ngarkesës në Shqipëri, personat që do kujdeseshin për rruajtjen, magazinimin dhe ekstraktimin e lëndës së dyshuar narkotike nga sasia me “pleh-organik”, dhe kush ishin personat e specializuar që do mundësonin kryerjen e këtij procesi, janë autorizuar nga Gjykata e Posaçme gjitha veprimet mbi aplikimin e mjeteve të kërkimit të provës.
Gjithashtu, nga ana e gjykatës janë pranuar kërkesat për caktimin e masave të sigurimit për 11 persona nën hetim dhe kontrollin e 14 ambienteve në qytete të ndryshme të Shqipërisë (Tiranë, Lushnjë, Fier).Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri në këto momente 10 masa sigurimi personal, si dhe janë kryer të gjitha kontrollet sipas vendimeve respektive të gjykatës.
Si rezultat i kontrolleve, janë sekuestruar provat materiale si më poshtë vijon:15,910 Euro;3 armë zjarri automatik kallashnikov;3 armë zjarri të llojit pistoletë;108 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm;18 aparate telefonash celularë 5 automjete, 2 laptop, 2 armë gjahu. 20 paleta me rreth 24 tonë “pleh artificial”, brenda së cilës ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se përmban një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë vlera e saj kap shifrën rreth 40 milion euro.