Kur ende nuk kanë kaluar 24 orë nga zbulimi i krimit të rëndë në Shënavlash të Durrësit ku Esmerald Balla vrau dhe më pas hodhi në pus trupin e babait të tij, mësohet se paratë ishin zanafillë e një sherri që përfundoi në tragjedi.
Në polici, 30-vjeçari tregoi se më 13 gusht, si çdo ditë, me te atin shkoi për t’u kujdesur për kafshët dhe aty nisi konflikti, fillimisht për kujdesin ndaj kafshëve, për të vijuar lidhur me paratë. Esmerald Balla po ndërtonte një shtëpi të re e duhej t’i jepte ndërtuesit 30 mijë euro, por shuma mungonte.
Po sipas Esmeraldit, gjatë debatit, babai i pranoi se paratë i ka prishur dhe madje i nxori një pistoletë të mbushur duke ia drejtuar. Autori i dyshuar tha se veproi për vetëmbrojtje.
Në këto kushte, për të mbrojtur veten kam tentuar t’i marr pistoletën nga dora, por arma u shkrep dhe e qëlloi dy herë në gjoks babanë.
Ndërkaq janë publikuar pamje nga vendi ku Esmerald Balla fshehu trupin e të atit, Enver Ballës, pasi e ekzekutoi me pistoletë. Pusi, 5 metra i thellë i përket një stani, rreth 1 kilometër larg zonës ku e vrau. Trupi i 62-vjeçarit u nxor me ndihmën e një vinçi, një ditë më parë.
Krimi i rëndë u zbulua pas hetimeve të Policisë Durrës. Që më 13 gusht, autori Esmerald Balla kishte denoncuar largimin e babait nga banesa dhe se nuk po arrinte të lidhej me të.
Menjëherë pas këtij denoncimi, djali tjetër i viktimës Enver Balla, shtetasi A.B u kthye nga Italia e kallëzoi në Polici se në Instagram i shkoi mesazhi i një shtetaseje të panjohur, që i kërkonte familjarëve të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ishte larguar me pushime. Kjo ngriti dyshime se ngjarja mund të ishte krim në familje. Pas hetimeve, u vu në pranga 30-vjeçari Esmerald Balla, i cili pranoi autorësinë dhe se armën e krimit e flaku në një kanal.
Dyshohet se u ndihmua nga miku i tij, 25-vjeçari Edison Brahaj, për të bërë transportimin me automjet të trupit të viktimës. Familja ka hapur dyert e mortit dhe varrimi i Enver Ballës bëhet sot në orën 16:00.