Aktori i cili vrau aksidentalisht në setin e xhirimit të filmit “Rust” kineasten Halyna Hutchins, Alec Baldwin, së fundmi ka deklaruar se po ndiqte udhëzimet e saj kur ia drejtoi armën, e cila rezultoi se kishte fishekë të vërtetë. Kjo deklaratë është dokumentuar në një dëshmi të tij, ndërsa pohohet gjithashtu se kontrata që ka firmosur në nisje të xhirimeve e mbronte atë nga përgjegjësia financiare në lidhje me vdekjen e Hutchins.
Baldwin është në cilësinë e të pandehurit në lidhje me tragjedinë e rëndë, ku mbeti viktimë kineastja, nëna e një fëmije. Kujtojmë se ngjarja ndodhi me 21 tetor të 2021, ndërsa ende hetimet nuk janë mbyllur. Në dosjen e fundit dalë nga hetimet, thuhej se aktori nuk ishte përgjegjës për vdekjen e saj, sepse ishte siguruar se arma që po përdorte në skenë nuk përmbante plumba të vërtetë dhe gjithashtu sepse ai nuk kishte përgjegjësi për kontrollin e armëve në set, siç fillimisht “New York Times” raportoi.
Nga ana tjetër vlen të theksohet se aktori Alec Baldwin është paditur së fundmi për vrasjen e kineastes, Halina Hutchins gjatë xhirimeve të filmit ‘Rust’ nga bashkëshorti i të ndjerës. Matthew Hutchins ngriti një padi duke pretenduar se aktori vrau në mënyrë të pakujdesshme gruan e tij. Baldwin dhe të pandehurit akuzohen se ishin të vetëdijshëm se kishte probleme me sigurinë e armëve të zjarrit në xhirimet e filmit dhe nuk morën masa për të siguruar rregullat bazë.