Aktualitet

Dështon sërish seanca për inceneratorin e Elbasanit/Nuk gjendet e akuzuara në “Arrest shtëpie”!

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO për herë të tretë dështoi seanca lidhur me fillimin e gjykimit për inceneratorin e Elbasanit.

Shkak u bë mungesa e Jonida Zeqos, ish-anëtare e Komisionit për Dhënien e Koncesionit, e cila ishte me masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Zeqo nuk u gjet në shtëpi as nga Policia e Durrësit dhe as nga oficeri i Policisë Gjyqësore i SPAK-ut. Togat e zeza relatuan se Jonida Zeqo po i fshihet drejtësisë për të mos u përballur në seancën gjyqësore.

Zeqo i kishte dërguar dy e-maile gjykatës ku i konfirmonte dijeninë për seancën e sotme dhe kërkonte të përfaqësohej nga avokati Saimir Vishaj. Këto e-maile nuk janë pranuar nga Gjykata dhe kërkesa e saj u rrëzua.

Në seancë, prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho e Arben Kraja theksuan se nuk mund të konsiderohen pasi “e-mailet nuk verifikohen se janë dërguar nga Zeqo”. Oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ)  kërkon që ish-anëtarja e Komisionit për Dhënien e Koncesionit të shpallet në kërkim.

Gjithashtu, në seancë mungoi edhe avokati Ardian Leka, i cili mbron Klodian Zoton.

Ndërkaq, në lidhje me inceneratorin e Fierit, ekspertja Manjola Fida shprehet se “nuk është abuzuar me fondet publike”. Në fushën e ndërtimit, prej vitesh inxhinierja asiston edhe si eksperte e pavarur në gjykata. Pas një muaji verifikimesh, Fida dorëzoi konkluzionet përkatëse duke konstatuar se “për ndërtimin e inceneratorit nuk u abuzua me fondet publike”.

Abuzime nuk ka, duke qenë se ne jemi para faktit se në vepër ishte parashikuar që të ndërtohej me një shumë monetare rreth 32 milion euro. Faktikja është se ditën që ne kemi bërë inspektimin, vlera e investimit ishte 35 milion euro, pra kemi një tejkalim. Dhe këto punime dhe vlera monetare që është në tejkalim, është marrë përsipër e nuk është njohur si nga ana e supervizorit dhe nuk është faturuar në drejtim të shtetit e që kompania koncensionare do ta mbulonte vetë.

Për shumën e investuar, inxhinerja mban parasysh kontratën e nënshkruar midis autoritetit nënkontraktor dhe shoqërisë koncensionare.