Bota Gossip

Dëshmon në gjyq francezja që tronditi botën me historinë e saj, u drogua dhe u përdhunua nga 51 burra!

Një grua franceze, e cila u përdhunua nga disa burra të panjohur për mbi dhjetë vjet, pasi u drogua nga bashkëshorti i saj, tregoi në gjykatë për tmerrin që përjetoi kur mësoi se si ishte abuzuar me të. Gisèle Pélicot, 72 vjeçe, dha dëshmi se si 51 burra, përfshirë burrin e saj 50-vjeçar, Dominique, e përdhunan, duke thënë për këtë të fundit se kënaqej kur shihte burrat e tjerë që bënin seks me gruan e tij.

Shumë të pandehur në këtë rast kundërshtojnë akuzën e përdhunimit kundër tyre, duke pretenduar se ata mendonin se po merrnin pjesë në një lojë seksuale konsensuale. Gisèle Pélicot hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet dhe për të zhvilluar procedurat me dyer të mbyllura. Ajo kujtoi momentin në nëntor 2020 kur asaj iu kërkua nga policia të merrte pjesë në një intervistë së bashku me bashkëshortin e saj.

“Oficeri i policisë më pyeti për jetën time seksuale. I thashë se nuk kisha praktikuar kurrë shkëmbimin e partnerëve apo treshe dhe se nuk mund t’a pranoja të më prekte dikush tjetër. Por pas një ore oficeri hapi një dosje dhe më tregoi një fotografi. Nuk e njoha as burrin as gruan që flinte në shtrat.” Oficeri pyeti: ‘Zonjë, a është ky shtrati dhe komodina juaj?’ “Ishte e vështirë ta dalloja veten të veshur në atë mënyrë. Pastaj më tregoi dy foto të tjera. I kërkova të ndalonte. Ishte e padurueshme. Unë isha pa vetëdije, në shtratin tim dhe një burrë po më përdhunonte. Bota ime u shkatërrua”-ka thënë ajo.

Gisèle tha se deri atëherë martesa e tyre kishte qenë e lumtur dhe ajo dhe burri i saj kishin kapërcyer një sërë vështirësish financiare dhe shëndetësore. “Unë thjesht doja të zhdukesha. Por më duhej t’u thosha fëmijëve të mi se babai i tyre ishte i arrestuar.” Në ditët në vijim, gjykata do të dëgjojë më shumë prova nga hetimi, se si Dominique dyshohet se ka kontaktuar burra përmes faqeve të internetit të seksit dhe i ka ftuar në shtëpinë e tij periferike në Mazan, një qytet në veri-lindje të Avignon.

Policia thotë se ai u dha burrave udhëzime se si të vepronin. Ata duhej të parkonin në një distancë nga shtëpia për të mos tërhequr vëmendjen dhe të prisnin deri në një orë në mënyrë që ilaçet e gjumit që ai i kishte dhënë Gisele të jepnin efekt. Më tej ata pohojnë se, pasi të hynin në shtëpi, ata duhet të zhvisheshin në kuzhinë dhe më pas t’i ngrohnin duart me ujë të nxehtë. Duhani dhe parfumi nuk lejoheshin sepse mund të zgjonin Gisèle-n. Prezervativët nuk ishin kusht i nevojshëm.

Sipas hetimit, Dominique filmoi procedurat, duke krijuar një skedar me rreth 4000 foto dhe video. Burri i saj u zbulua vetëm pasi ishte arrestuar për ngacmim seksual dhe regjistrim të një gruaje në publik. Policia thotë se ka prova të rreth 200 përdhunimeve të kryera midis viteve 2011 dhe 2020, fillimisht në shtëpinë e tyre jashtë Parisit, por kryesisht në Mazan, ku ata u shpërngulën në vitin 2013.

Hetuesit pretendojnë se pak më shumë se gjysma e përdhunimeve janë kryer nga bashkëshorti i saj. Shumica e burrave të tjerë jetonin vetëm disa kilometra larg. E pyetur nga gjykatësi nëse njihte ndonjë nga të akuzuarit, Gisèle tha se njihte vetëm një. “Ai ishte fqinji ynë. Ai erdhi për të kontrolluar biçikletat tona. E kam parë në furrë buke. Ai ishte gjithmonë i sjellshëm. Nuk e kisha idenë se do të vinte të më përdhunonte.” Pasi doli e vërteta, Gisèle zbuloi se ajo ishte bartëse e katër sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.