Bota

“Dëshira për të mos u ndjerë vetëm është një simptomë fatkeqe…”/Mesazh motivues nga regjisori i ndjerë rus Andrei Tarkovsky!

Kur regjisori dhe skenaristi rus Andrei Tarkovsky u pyet në një intervistë se “Çfarë do të dëshironit t’u thoni të rinjve?”, ai u përgjigj se këshilla e tij kryesore do të ishte të mësonin të kultivonin vetminë:

Nuk e di, mendoj se do të doja t’u thosha të mësojnë të jenë vetëm dhe të përpiqen të kalojnë sa më shumë kohë me veten e tyre. Më duket se një nga dështimet e të rinjve është se ata përpiqen të mblidhen rreth ngjarjeve që janë të zhurmshme, pothuajse agresive. Për mendimin tim, kjo dëshirë për t’u bashkuar, për të mos u ndjerë vetëm është një simptomë fatkeqe. Çdo person duhet të mësojë që nga fëmijëria se si të kalojë kohë me veten. Kjo nuk do të thotë që njeriu duhet të jetë i vetmuar, por që nuk duhet të mërzitet me veten, sepse njerëzit që mërziten në shoqërinë e tyre më duken se janë në rrezik për sa i përket vetëvlerësimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur vetminë një kërcënim urgjent për shëndetin global, ndërsa një kirurg amerikan ka thënë se efektet e saj në vdekshmëri janë të barabarta me pirjen e 15 cigareve në ditë. OBSH krijoi një komision ndërkombëtar, të udhëhequr nga kirurgu kryesor i SHBA-ve, Dr Vivek Murthy dhe i dërguari i Rinisë së Bashkimit Afrikan, Chido Mpemba. Ngritja e komisionit vjen, pasi pandemia COVID-19 ndaloi aktivitetet ekonomike dhe sociale, rriti nivelin e vetmisë, por edhe shtoi ndërgjegjësimin për rëndësinë e problemit.

“Vetmia i kapërcen kufijtë dhe po bëhet një shqetësim global i shëndetit publik që prek çdo aspekt të shëndetit, mirëqenies dhe zhvillimit. Izolimi social nuk njeh moshë apo kufij”,-është shprehur Mpemba. Sipas Murthy, rreziqet shëndetësore janë po aq të këqija sa pirja e duhanit deri në 15 cigare në ditë dhe madje më të mëdha se ato që lidhen me obezitetin dhe pasivitetin fizik.