Sport

Derbin i Madridit, polemika dhe kërkesa pa fund për bileta

Derbi i parë i Madridit në këtë sezon në La Liga nuk është larg dhe polemikat kanë nisur që 20 ditë para se dy skuadrat të zbresin në fushë.

Më 29 shtator në orën 21:00, Atletiko dhe Reali do të përballen në “Metropolitano”. Kujtojmë se ka qenë pikërisht në këtë stadium që Reali ka pësuar humbjen e fundit në La Liga më 26 shtator të vitit të kaluar. Nëse nuk humbet në dy javët në vijim, Reali do të shkonte në “Metropolitano” me një vit pa humbje në kampionatin spanjoll.

Por pavarësisht polemikave të pafund për datën e ndeshjes, veçanërisht nga klubi i Atletikos, kërkesat për bileta kanë arritur në ekstrem. Dhe, ndonëse shikimi i futbollit “live” në stadium është bërë një luks, ndenjëset me kapacitet të përgjithshëm, çmimi i të cilave zakonisht varion nga 30 deri në 150 euro, tashmë janë shitur, duke lënë në dispozicion vetëm rreth 200 bileta VIP me çmime nga 450 deri në 530 euro. Çmimi jo i lirë për ata që ende duan të marrin një biletë për derbin.

Duhet pasur parasysh se Atletiko e Madrid është klubi i dytë në La Liga me numrin më të madh të abonentëve këtë sezon pas Realit të Madridit, që do të thotë se numri i biletave për t’u shitur për publikun e gjerë është zvogëluar ndjeshëm. Klubi bardhekuq ka 60,285 abonentë dhe një stadium me kapacitet prej 70,460 spektatorësh, që do të thotë se janë vetëm 10 mijë vende kanë qenë në dispozicion të pjesës tjetër të tifozëve. Dhe kjo ka bërë që biletat të avullojnë, madje edhe ato më të shtrenjtat.

Një nga aspektet që ka krijuar më shumë polemika rreth ndeshjes është shqetësimi i Atletikos së Madridit me oraret e planifikuara nga La Liga. Skuadra e Simeones do të arrijë në derbin me 48 orë më pak pushim se Reali i Madridit. Skuadra e bardhë do të luajë ndeshjen e vet në La Liga kundër Alavesh të martën, më 24 shtator, ndërsa “rojiblancos” do të përballen me Selta Vigon të enjten, më datë 26. Përveç kësaj, Atletiko e Madridit do të ketë vetëm një ditë stërvitje për t’u përgatitur për ndeshjen, gjë që ka shkaktuar zemërim në mesin e tifozëve dhe stafit stërvitor të Atletikos.

Por përpara se Atletiko e Reali të përballen mes tyre në La Liga më 29 shtator, fillimisht ato do të kenë zbritur nga katër herë secila në fushë në periudhën mes 15 shtator dhe 29 shtatorit. Skuadra e Simeones do të luajë katër ndeshje para derbit, tre në La Liga (Valencia, Vajekano dhe Selta) dhe një në Champions kundër Lajpcigut. Reali nga ana e tij do të luajë tre në La Liga (Sociedad, Espanjol dhe Alavesh) dhe një në Champions kundër Shtutgartit.