Aktualitet Sport

Derbi Partizani-Tirana, policia njofton planin e masave!

Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”, që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar”, rruga “Gjergj Filipi”(COIN) – stadium;

– Lëvizja e tifozëve të KF Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit rruga “Dervish Shima”, rruga “Sheh Ahmet Paza”- stadium.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.