Kryeministri Edi Rama fton të gjithë ata që duan t’i bashkohen Partisë Socialiste që të aplikojnë në platformën “Deputeti që Duam”. Rama thekson se kjo platformë është “dera e re e Partisë Socialiste, për të gjithë ata që duan të na bashkohen për Shqipërinë 2030”.
Idetë e reja, njerëzit dinamikë me guxim dhe vendosmëri do ta çojnë Shqipërinë vetëm përpara. Partia Socialiste ju fton në platformën inovative “Deputeti që duam”. Apliko tani për t’u bërë pjesë e ndryshimit, pjesë e përfaqësimit, për profesionistët, për gratë, për diasporën, për rininë!
Risia e kësaj platforme për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin tek një temë që e kanë përzemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se Partia Socialiste nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Po ashtu, kandidatët do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren e në rrjetet sociale, për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.
Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial, i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithëve atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri ose jashtë vendit. Ky opsion u jep atyre kohë për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme.
Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes deputetiqeduam.al dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video të shkurtër të regjistruar nga vetë kandidati.