Deputetët e opozitës do ta zhvendosin protestën në dyert e Parlamentit Europian. Më datë 23, pjesa dërrmuese e grupit parlamentar të Partisë Demokratike udhëton drejt Strasburgut. Sipas informacioneve, parashikohet të kenë takime me zyrtarë të Parlamentit Europian dhe eurodeputetë. Gjithashtu mësohet se deputetët do të shkojnë me shpenzimet e tyre.
Deputetët pritet të denoncojnë situatën politike në vend, si dhe arrestimet dhe burgosjet politike që po ndodhin në radhët e opozitës. Pas Strasburgut, pritet të organizohen protesta në Tiranë me bllokim qarkullimi. Kujtojmë se seancat e fundit plenare në Kuvend janë shoqëruar me tensione të forta mes opozitës dhe maxhorancës. Gjithashtu opozita organizoi edhe një protestë kombëtare në kryeqytet.
Diplomatja Shakira Birtwhistle, e cila ndjek çështjet politike në Ambasadën britanike në Tiranë, sot zhvilloi një takim në selinë e Partisë Demokratike me Drejtuesen e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë Ilda Zhulali dhe Drejtuesin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti.
Siç njofton zyra për shtyp e Partisë Demokratike, në takim është diskutuar për situatën politike, ku përfaqësuesit e PD iu kanë përcjellë qëndrimet mbi domosdoshmërinë për qeveri kujdestare si në Maqedoninë e Veriut, me synim sigurimin e standardeve për zgjedhjet e vitit 2025.
Kjo skemë e përdorur me sukses në Maqedoninë e Veriut mund dhe duhet të zbatohet në Shqipëri, si garanci minimale për zgjedhje garuese. Kjo përputhet dhe me dy rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR që kërkojnë marrjen e masave për keqpërdorimin e burimeve shtetërore si armë për tjetërsimin e votës dhe shitblerjen masive të votës përmes fondeve publike, thuhet një njoftimin e shpërndarë nga mediat nga selia blu.
Përfaqësuesit e PD-së, gjatë takimit me dyer të mbyllura, e kanë informuar diplomaten britanike, siç bën me dije zyra e shtypit, për sulmin politik të qeverisë ndaj opozitës, përmes burgosjes politike të Kryetarit të opozitës, Sali Berisha, nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Ervin Salianji, anëtarit të Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi, si dhe kërcënimit publik drejtuar kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Në fund të takimit u ra dakord për shpeshtim të kontakteve mes Ambasadës britanike dhe përfaqësuesve të PD, ndërsa vetë kreu i kësaj partie Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Britania e Madhe.