Aktualitet

Denoncimi i Princ Lekës, Prokuroria nis hetimet për dhunë në familje dhe publikimin e videos!

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj, Gjergj Zaharia.

Në një njoftim, organi i akuzës së kryerqytetit, do të verifikojë edhe publikimin e videos së konfliktit fizik mes Princit dhe Elia Zaharias të rrjedhur në media.

Një ditë më parë, Oborri Mbretëror ka akuzuar Policinë e Tiranës për shpërndarjen e videos, por zyra e shtypit të policisë e mohoi një gjë të tillë.

Deri më tani rezulton se ky material filmik është depozituar në Prokurori, pasi ka qarkulluar në media të ndryshme.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal. Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.

Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Tiranës.

Princ Leka dhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia, kanë denoncuar njërit-tjetrin për dhunë. Ditën e djeshme Princi ka vizituar shtëpinë e tij ku jeton Elia me vajzën e tij, për ta takuar këtë të fundit.

Princ Leka është përballur me babain e Elias, ku në dëshminë e tij shprehe se ka qenë ish-vjehrri i tij Gjergj Zaharia që e ka goditur me shkelma dhe e ka gjuajtur me një statujë.

Ndërsa në dëshminë e tij para policëve, Gjergji shprehet se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin, i cili është 2 metra i gjatë”.