Aktori dhe ylli i “Marvel”, Jonathan Majors, është dënuar me 1 vit burg për sulm ndaj ish-të dashurës së tij. Gjykata në New York arriti në përfundimin se aktori amerikan ishte fajtor për sulmin ndaj ish-të dashurës së tij, koreografes britanike, Grace Jabbari. Mësohet se sulmi ka ndodhur në mars të këtij viti dhe sipas raportimit, pas sulmit, Jabbari ka pasur një thyerje të gishtit, mavijosje, një prerje pas veshit dhe po ashtu thuhet se ka ndjerë dhimbje të forta.
Majors u dënua për dy krime, sulm dhe ngacmim. Përveç dënimit me burg atij iu hoq edhe nga të gjithë filmat e ardhshëm të Marvel. Siç raportojnë mediat e huaja, ngacmimi dhe sulmi ka ndodhur kur çifti ka qenë në makinë, pra pasi Jabbari ka parë një mesazh nga një grua e panjohur në celularin e Majors.
Sipas avokatit, Jabbari ka zgjatur për celularin dhe më pas Majors e ka kapur, i ka vendosur dorën pas shpine dhe e ka goditur në kokë për t’ia marrë celularin. Jonathan Majors është një aktor që fitoi shpejt famë në Hollywood. Pasi luajti në filmin “The Last Black in San Francisco” në 2019, ai vazhdoi në filmat “Da 5 Bloods”, “The Harder They Fall” dhe së fundmi premiera e filmit “Creed III” në të cilën ai luan përkrah Michael B. Jordan.