Bota

Dënohen spiunët rusë në Slloveni! Si u infiltruan për vite të tëra dhe udhëtuan në të gjithë Evropën në interes të Rusisë!

Dy spiunë rusë të arrestuar në Slloveni janë deklaruar fajtorë. Dyshja, emrat e vërtetë të të cilëve mendohet të jenë Artem Dultsev dhe Anna Dultseva, u arrestuan në fund të vitit 2022 dhe besohet se janë spiunë rusë të trajnuar, të cilët kalojnë vite të tëra duke jetuar jashtë vendit me identitetin e tyre të fshehtë.

Ata u prezantuan si Ludwig Gisch dhe Maria Mayer. Ajo drejtonte një galeri arti në internet dhe ai kishte një biznes IT, por gjatë gjithë kohës ata punonin fshehurazi për inteligjencën ruse.

Çifti u deklarua fajtor për akuzat e spiunimit dhe falsifikimit të dokumenteve, tha gjykata rajonale e Lubjanës në një deklaratë. Gjykata i dënoi ata me më shumë se një vit e gjysmë burg, e barabartë me kohën që kanë kaluar në burg, dhe urdhëroi dëbimin e tyre nga vendi, ndërkohë që i ndaloi të kthehen në Slloveni për një periudhë pesëvjeçare.

Besohet se çifti ka përfituar nga lëvizja lirë Shengen përmes Sllovenisë, për të kryer detyrat e tyre për inteligjencën ruse në të gjithë Evropën. Një burim i tha më parë Guardian se gjatë një kontrolli në një zyrë të përdorur nga dyshja, policia gjeti aq shumë para saqë u deshën orë të tëra për t’u numëruar. Dy fëmijët e çiftit u morën në kujdestari pas arrestimit të tyre dhe vazhduan të ndiqnin një shkollë ndërkombëtare në Lubjanë, ndërsa nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me ta tani.

Sipas gazetës sllovene N1, dy spiunët do të ishin pjesë e një shkëmbimi të afërt të të burgosurve. Spekulimet vijnë mes raporteve se shumë të burgosur rusë janë zhvendosur nga vendet e tyre, duke përfshirë një numër të burgosurish politikë.