Aktualitet

Dënimi i Ervin Salianjit, çfarë pritet të ndodhë sot?

Pasi dje Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të 2019-ës për ta dënuar me 1 vit burg për kallëzim të rremë lidhur me dosjen “Babale”, Ervin Salianji bëri të ditur se komunikoi me drejtuesit e policisë për t’u vënë menjëherë në dispozicion. I vendosur për të mos e zgjatur më çështjen e dënimit të tij, deputeti demokrat tha se ka kërkuar të dijë nga prokurori se çfarë duhet bërë e deklaroi se sapo të kryhet procedura, sot pret ekzekutimin e vendimit.

Pas vendimit, një ditë më parë, Salianji foli për “dënim politik”:

Gjykata kishte ardhur me vendim të parapërgatitur. Seanca u shty për të marrë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për pushimin e çështjes. Pra, një vendim i falsifikuar për të hapur këtë proces për kallëzim të rremë në Shkallën e Parë. E shtyu për t’i dhënë mundësi atij që e ka ndërtuar që nga fillimi deri në fund këtë proces, që është Fatmir Xhafaj, për të sjellë nëpërmjet avokatit të tij vendimmarrjen me vulë të njomë.

Në mënyrë të paprecedentë, gjykata në vend që ta rikthente për shkak të falsifikimit të dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, mori vendim për ta pranuar në fillim si provë dhe më pas për të dhënë një vendim që ishte i shkruar.

Eshtë një vendim marrje e gjykuar nga gjyqtarë që është njësoj sikur të të gjykojë një strukturë e PS-së një seksion të PD-ë. Nga të dhënat që kam mbledhur këto ditë, kam parë që vendimmarrja u shty, pa patur nevojë për shtyrje e për t’u marrë sot. Njëra prej gjyqtareve është kunata e Belinda Ballukut. Mendoni ju që do të japë drejtësi për një përfaqësues të PD-së?

Një prej gjyqtarëve të tjerë, superordiner, që në të ardhmen do keni prova për të, është njeri që flet nëpër tavolina se do të shkojë në Gjykatën e Lartë e për të shkuar atje, “unë vras një njeri e jo më të jap një vendim për një politikan të opozitës”.

Në të gjithë elementët e një dosjeje të kopsitur nga fillimi deri në fund, e bën këtë vendimmarrje, një vendimmarrje politike, një dënim politik. Dënimin e parë për pas 32 vitesh për agjitacion dhe propagandë.

Unë kam bërë një shërbim të madh në shërbim të publikut dhe do ta bëj në çdo formë e mënyrë, sido të jetë. Nuk kam bërë një betejë për veten, nuk kam bërë një betejë për interesa personale, nuk kam bërë një betejë për të vjedhur siç vjedhin këta, nuk kam bërë një betejë për të vrarë, nuk kam bërë një beteje për trafik droge, por kam bërë një betejë kundër trafikantëve të drogës dhe kundër maskarenjve në këtë vend.

Në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Penale vendosi 1 vit burg për Salianjin, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim, por ai nuk u arrestua për të bërë burg, pasi u hetua në gjendje të lirë. Ndërkohë, Albert Veliu i njohur si Babalja u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, me 6 muaj, dënim i zëvendësuar me 100 orë pune. Ata u shpallën fajtorë për “Kallëzim të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Ndërkaq, reagoi dhe kryeministri Rama.