E ftuar në “Live from Tirana” ishte mjekja dhe pedagogia Najada Çomo për të folur rreth virozave të muajve të korrikut dhe gushtit, ku duket se midis atyre të zakonshmeve, fshihen viruse më të rrezikshme si Covid-19.
Një sëmundje tjetër e vërejtur në rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut janë Ethet e Nilit. A duhet të shqetësohemi për të?
Në muajin korrik, specifikisht në 10-ditëshin e fundit, u evidentuan më shumë raste në Shqipëri dhe në rajon. Sëmundja e Nilit vjen nga pickimet e mushkonjave dhe mund të jetë shumë vdekjeprurëse. Disa shenja të para janë paaftësi për t’u përqendruar, temperatura të larta dhe përgjumësi, shenja të cilat tregojnë praninë e saj. Shumica e rasteve e kalojnë këtë sëmundje lehtësisht, por Ethet e Nilit mund të eskalojnë në rrezik dhe prekin sistemin nervor qendror, pra, në fjalë të tjera, shkaktojnë dëme në tru. Pasojat e kësaj mund të shkojnë deri në paralizë, probleme komunikimi, humbje të aftësive mendore dhe, në raste kritike, vdekje. Grupmoshat e vjetra janë në rrezik më të lartë, por ka dhe raste që 15, 16 dhe 17-vjeçarë preken rëndë nga kjo sëmundje. Fatmirësisht nuk përhapet nga njeriu te njeriu, kështu që përpiquni të mbroheni nga mushkonjat.