Art & Kulturë Film & Tv

”Demolition” i thyen të tëra me pjata, me filxhana. Kritikë

Vera është stina që ka aftësinë për shkak të ritmit të breshkës që e karakterizon të të kthejë tek gjërat e vjetra. Libra që ke vite që i ke lexuar dhe i rikthehesh, filma që i ke parë por i ke harruar. I tillë është edhe ky film i 2016 nga regjisori i “Dallas Buyers Club” Jean-Marc Vallée. Regjisori i dramave të forta e të sinqerta, vinte mbas suksesit që në 2014 Dallas Buyers i dha dy protagonistëve, Matthew McConaughey
dhe Jared Leto, që të dy fituan Oscarin.

Kritika e kohës thoshte se roli i Jake Gyllenhaal tek “Demolition” ishte më i miri i tij që prej “Brokeback Mountain” (2005). Nuk di të them nëse e kisha parë në kohën kur doli apo jo, nëse e kam parë dhe e kam harruar, mosha bëka çudira, por jam i lumtur që e pashë. Janë 100 minuta të vlefshme.

“Demolition”(man) nuk duhet ngatërruar me një hit aksion të fillim viteve 90 me protagonist Sylvester Stallone dhe Wesley Snipes. Ai është thyerje i një lloji tjetër. Kush nuk e mban mend batutën e Robert Ndrenikës si Thoma Çakshiri në komedinë e Teodor Laços – “Shi në Plazh” (1984).

“Edhe kur zemërohem unë, i thyej të tëra, me pjata, me filxhana, batërdi e bëj, dëgjove, dëgjova thuaj”

Çakshiri e kishte hallin tjetërkund, Davis Mitchell (Gyllenhaal) ndjek të njëjtën mënyrë shfryrjeje për shkak të humbjes së papritur të së shoqes e cila ishte duke ngarë makinën, ku ky ishte pasagjer, ndërsa përfshihet në një aksident fatal.

“Për të shëruar zemrën e lënduar, duhet ta çmontosh të tërën”

–      është këshilla që vjehrri i tij Phil (Chris Cooper) i jep në përpjekje për t’i dhënë atij forcë për të vazhduar, një këshillë që Mitchell e merr në formën e saj më literale, fillimisht duke çmontuar frigoriferin e shtëpisë që rridhte (kjo ishte biseda që Davis ishte duke bërë me gruan para aksidentit), e më pas duke shkatërruar çdo gjë fizike [e më pas shpirtërore] që e rrethonte. Fenomeni i shkatërrimit si formë e heqjes së ngarkesave emocionale negative u kthyen më pas në një trend në botë me dhoma shfryrjeje në shumë vende të botës ku  shumëkush paguante për të thyer gjëra. Përshkallëzimi i çdo konflikti është në fakt thyerja e diçkaje. Konflikti këtu, nuk është aq humbja, sa mungesa e një ndjesie që vjen bashkë me të. Kur dikush humb dikë të dashur, ka një ylber të tërë ndjenjash shoqëruese, në rastin e Mitchell, ai nuk ndjen asgjë. Është i mpirë.

Regjisori nuk e vret mendjen aq t’i japë kohë shikuesin të njohë personazhet. Ritmi i tij i rrëmit është i lartë sa kolonat zanore të përzgjedhura, kaotik, por i mprehtë, i sinqertë e i kuptueshëm. Alegoria që “Demolition” zgjedh për të treguar mënyrën së si  e kemi të vështirë të tregojmë veten tonë me njerëzit tanë më të afert, e të jemi tërësisht të hapur me të panjohur, për shkak të mungesës së paragjykimit vjen në skenën kur Davis sapo merr lajmin që e shoqja nuk ja kishte dalë, në spital.  I pamundur për të folur me prindërit e saj, ai e ka të ‘thjeshtë’ të shkruajë një letër shumë specifike kompanisë së makinetës së kafes, duke i treguar gjëra që mbase nuk ja kishte thënë askujt më parë. Davis largohet nga prindërit e bashkëshortes së saj të vdekur, edhe pse jeta e lidh me ta edhe profesionalisht (punon në firmën e vjehrrit) për ti treguar ndjesitë e tij, një udhëtari në tren, apo një punonjëse call centeri (Naomi Watts – ajo që lexon letrat e tij) me të cilën krijon një raport të çartur, ndërkohë që nuk gjen rast pa shfrytëzuar për të shkatërruar apartamentin e tij, tashmë bosh, pa të ardhme.

Përfshirja e tij me Karen Moreno (Watts) dhe me djalin e saj adoleshent Chris (Judah Lewis) e bën atë të kuptojë gjithmonë e më shumë nga vetja, nga raporti që kishte me bashkëshorten e ndjerë. Interpretimi i Gyllenhaal gërshetuar me regjinë e Vallée është vërtet fantastik. Një ortek ndjesish të përshtjellon stomakun duke mos qënë gjithmonë dakord me zgjedhjet e personazheve por qënë i dhembshur me ta në çdo kohë. Sepse ky film nuk ka një ‘të keq’ apo një ‘të mirë’. Ky film është si të gjithë ne, me çdo gjë që kemi brenda.

Të gjithë personazhet e filmit shërbejnë si pasqyra për protagonistin [apo shikuesin], ku ai të shohë copëzat e shembura të vetes për t’u ringritur. Empatia e Karen, mirëkuptimi i Phil, çiltërsia e Chris do të mundohen të ri-ngrejnë Davis-in mbas shembjes.  Ndodh në jetë jo rrallë të zhgënjehemi nga njerëzit të cilët i kemi më afër e të marrim dashuri nga ata që nuk e presim fare.