Aktorja e njohur Demi Moore së fundmi zyrtarizoi romancën me shefin e famshëm zviceran të restorantit “Eleven Madison Park”, Daniel Humm. Të dy kishin 13 vite diferencë por kjo nuk dukej se e pengonte dashurinë e tyre. 60-vjeçaren dhe 46-vjeçarin i bashkonte edhe pasioni për ushqimin vegan. Ndërkaq, është bërë e ditur se Moore i ka dhënë fund lidhjes. Lajmi për ndarjen e Demi-t nga Humm, vjen vetëm tre ditë pasi aktorja e “Ghost” festoi ditëlindjen e saj të 60-të.
Dyshja ishin parë duke marrë pjesë në sfilatën e koleksionit të “Chloe” vjeshtë-dimër 2022/2023 pranë Maria Sharapova dhe Gugu Mbatha-Raw në Paris, Francë. Rikujtojmë, se Demi ka qenë më parë e lidhur me Masha Mandzuka, Sean Friday, Oliver Whitcomb dhe Leonardo DiCaprio. Ajo ka qenë e martuar me Ashton Kutcher nga 2005 deri në 2013. Demi ka qenë gjithashtu e martuar më parë me aktorin Bruce Willis nga viti 1987 deri në vitin 2000. Ata kanë së bashku vajzat Rumer, Tallulah dhe Scout.
Në fillim të këtij viti, familja e Bruce zbuloi se aktori do të tërhiqej nga aktrimi për shkak të diagnozës së tij me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë e të sëmurëve për të folur dhe kuptuar gjuhën. Sjellim në vëmendje se së fundmi Moore ka folur në një intervistë për përvojën e saj jetësore, ngjarjet traumatike që përjetoi gjatë fëmijërisë, si edhe për martesën me Ashton Kutcher.
Aktorja hapi zemrën në podcastin “Good Friend” me Jamie Lee Curtis dhe tregoi se gjatë periudhës së rritjes ka përjetuar dhunë në familje dhe kjo ka ndikuar shumë në karrierën e saj të aktrimit, por edhe në jetën e saj të dashurisë, duke aluduar për tri martesa të dështuara.