Duhani nuk dëmton vetëm zemrën, mushkëritë dhe trurin por gjithashtu dëmton edhe pamjen e jashtme. Një duhanpirës ka gjasa të ketë gjithmonë qeska poshtë syve. Gjithashtu, ka 4 herë më tepër gjasa sesa një jo-duhanpirës për të mos bërë një gjumë të qetë. Pirja e cigareve përshpejton plakjen duke kontribouar në krijimin e rrudhave.
Cigaret jo vetëm shkaktojnë zverdhje të dhëmbëve, por ndikojnë edhe tek lëkura e gishtërinjve dhe tek thonjtë. Lëkura e duhanpirësve merr ngjyrë gri për shkak se tymi i cigares përmban monoksid karboni, i cili nuk lejon oksigjenimin e duhur të lëkurës.
Ndërkaq, rikujtojmë se çdo minutë 10 milionë duhanpirës ndezin një cigare dhe 15 njerëz vdesin nga duhani. Nga 8 miliardë njerëz në Tokë, rreth 1 miliard janë duhanpirës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe The Tobacco Atlas. Më shumë se 5,000 miliardë cigare konsumohen çdo vit. Numri i duhanpirësve është në rënie prej disa vitesh falë masave kundër duhanit të miratuara nga shtetet, si rritja e taksave dhe shfaqja e cigareve elektronike.
Në vitin 2000, një e treta e popullsisë së botës mbi 15 vjeç ishin duhanpirës, krahasuar me 20% tani. Numri më i madh i duhanpirësve është në Kinë, vendi me 1.4 miliardë banorë ka pothuajse 300 milionë duhanpirës. Indonezia gjithashtu ka një numër të lartë të duhanpirësve meshkuj; 62.7% e atyre mbi 15 vjeç pinë duhan.
Pirja e duhanit tani prek kryesisht vendet më të varfra; 80% e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare. Në Afrikë dhe Lindjen e Mesme ka një rënie të vogël të duhanpirësve, edhe pse disa vende si Egjipti dhe Iraku po ndjekin rrugën e kundërt.