Aktualitet

Dëmet nga sigurimet e detyrueshme motorike janë rritur me 36% këtë vit!

Dëmet e paguara nga kompanitë për sigurimin e aksidenteve janë në rritje të ndjeshme këtë vit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për tetë muajt e parë të vitit kompanitë e sigurimit të jo-jetës kanë paguar 3.5 miliardë lekë dëme në klasat e përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dëmet në sigurimet e detyrueshme motorike janë rritur me 36%.

Dëmet për sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë këtë vit më shumë se 70% të totalit të dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit të jo-jetës në Shqipëri. Sigurimet e detyrueshme motorike historikisht kanë dominuar strukturën e dëmeve në sigurime, ashtu si edhe atë të primeve. Megjithatë, pesha e dëmeve në sigurimet TPL është rritur me katër pikë përqindjeje gjatë këtij viti.

Efektin kryesor në rritjen e shpenzimeve për dëme e ka dhënë Kartoni Jeshil. Shpenzimet për dëmet e shkaktuara nga mjetet shqiptare jashtë vendit ajnë rritur me 104% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, edhe dëmet e lidhura me sigurimin e brendshëm TPL janë rritur me ritme të konsiderueshme, me pothuajse 25% krahasuar me 8-mujorin 2024.

Duke filluar nga viti i ardhshëm, AMF synon të sjellë parimin e bonus-malus dhe e disa elementëve të tjerë të riskut në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm të mjetit.

Pritet që kjo të sjellë çmime më të larta për drejteusit e mjeteve që shkaktojnë dëme dhe që në përgjithësi paraqesin rrezik më të lartë për të shkaktuar dëme në të ardhmen.

Parimi i bonus-malus parashikohet në ligjin “Për sektorin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që hyri në fuqi në vitin 2021.

Megjithatë, ligji përcakton se bonus-malus nuk është i detyrueshëm, por si një faktorët e rrezikut që kompanitë e sigurimit mund ta përdorin në llogaritjen e primit.

Faktorët e tjerë do të jenë fuqia motorike e mjeteve (sa më i lartë kubikazhi i mjetit, aq më i lartë primi i sigurimit; mosha e drejtuesit (primi do të jetë më i lartë për moshat më të reja, me nivelin më të larta për moshat18-21 vjeç); eksperienca në drejtimin e mjetit; pronësia e mjetit (në varësi të faktit nëse është në pronësi të një individi apo subjekti, ku mjeti mund të përdoret nga disa drejtues); qarku i regjistrimit të mjetit qarqet me numrin më të madh të dëmeve do të kenë koeficient rreziku më të lartë dhe vjetërisa e mjetit (mjetet më të vjetra do të kenë prim të lartë).

Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.

Këta faktorë risku do të përdoren në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave, në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), por jo për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Shoqëritë e sigurimit nuk mund të aplikojnë tarifa të primit të sigurimit të ndryshme nga ato të raportuara në Autoritet dhe nuk mund t’i ndryshojnë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik./Monitor