Botë e Çuditshme Food & Drink Tech

Del në shitje luga elektrike që e bën ushqimin më të kripur!

Një lugë me bateri që e bën ushqimin më të kripur ka dalë në shitje në Japoni. Luga, e cila është prej plastike dhe metali, ka për qëllim që njerëzit të përpiqen të reduktojnë marrjen e kripës, pasi studiuesit pretendojnë se promovon ushqim më të shëndetshëm.

Marrja e tepërt e natriumit është e lidhur me rastet e shtuara të presionit të lartë të gjakut dhe goditjeve në tru. Në Japoni, të rriturit konsumojnë mesatarisht rreth 10 gramë kripë në ditë, dyfishi i sasisë së rekomanduar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Luga elektrike e kripës funksionon duke kaluar një rrymë të dobët elektrike përmes majës së pajisjes, për të përqendruar molekulat e joneve të natriumit në gjuhë.

Kjo e zmadhon kripën e perceptuar të ushqimit me një herë e gjysmë, sipas prodhuesve japonezë, Kirin. Përdoruesit mund të zgjedhin intensitetin e tyre të preferuar nga katër nivele të ndryshme, tha kompania, e cila po kalon më shumë në kujdesin shëndetësor nga biznesi i saj tradicional i birrës.

Mjafton vetëm një lugë çaji më pak kripë në ditë për të arritur, në një kohë të shkurtër, një rënie të presionit të gjakut të krahasueshme me atë që arrihet përmes ilaçeve. Kjo është mbështetur nga një studim i publikuar në revistën shkencore JAMA, sipas të cilit ky reduktim ka një efekt të dobishëm edhe për ata që marrin ilaçe për rregullimin e presionit të gjakut.

Studiuesit në Universitetin Northëestern Illinois në SHBA kanë arritur në përfundimin se çdokush mund të arrijë një ulje të presionit të gjakut, duke reduktuar marrjen e kripës në dietën e tyre, përfshirë edhe ata që marrin ilaçe kundër hipertensionit. Deri më tani nuk ishte e qartë nëse futja e një diete me pak kripë ishte efektive edhe për ata që ndërkohë trajtoheshin për presionin e lartë të gjakut.