Piktura e Pablo Picasso “Buste de femme” të cilën ai e krijoi dy vjet para vdekjes së tij në 1971, do të dalë sot në ankand në qytetin gjerman të Këlnit për një vlerë që varian nga 1,5 milionë euro deri në 2.5 milionë euro. “Ndoshta një pikturë nga Pablo Picasso nuk është ofruar kurrë në tregun gjerman të ankandeve,”- tha drejtuesi i ankandit Robert van den Valentyn.
Në foto mund të dallohet gruaja e dytë e Picasso-s, Jacqueline Roque. Kjo pikturë vjen nga një koleksion i rëndësishëm privat gjerman. Ndër më shumë se 600 veprat me një vëllim total mbi 10 milionë euro janë veprat e Louise Bourgeois, Paul Klee, Sigmar Polke, Egon Schiele dhe Kurt Schwitters. Ankandi pranveror i Van Hamit të këtij viti do të mbahet më 5 dhe 6 qershor.
”Është hera e parë në të paktën 25 vjet që një pikturë e madhe e artistit spanjoll del në ankand në Gjermani”, sipas shtëpisë së ankandit ”Van Ham”. Rikujtojmë, se tabloja “Gruaja e ulur pranë dritares (Marie-Thérèse)” e Pablo Picassos u shit rreth dy vite më parë për 103,4 milionë dollarë gjatë ankandit të organizuar tek Christie’s, në Nju Jork. Tabloja me përmasa 1,46 metra me 1,14 metra, e pikturuar më 1932, u vlerësua 90 milionë dollarë dhe arriti në 103,4 kur u shtuan tarifat dhe komisionet, pas një beteje më shumë se 19 minutëshe midis koleksionistëve.