Auto & Moto

Del në ankand makina e parë e Maradonas, u gjet në një kotec pulash!

Ajo makinë iu dhurua për Krishtlindjet e vitit 1982, kur u zyrtarizua transferimi i tij nga Boca Juniors në futbollin e madh europian, me ndalesën e parë që ishte Barcelona. Është makina e parë që i përkiste Diego Armando Maradonës.

Një supermakinë? Ferrari apo një Mercedes? Jo, aspak. Ishte një Fiat 128. Sot propozohet në ankand, por jo në mënyrën që të gjithë mund ta imagjinojnë. I lançuar në treg në vitin 1969, si shumë modele të tjera të Fiat-it, 128 pati një sukses të shkëlqyer në shitje në Amerikën e Jugut në vitet në vijim.

Sukses pati veçanërisht në Argjentinë, ku kapi një vlerë të tillë sa të dëshirohej nga vetë Maradona në vitin 1982, ende 22 vjeç. Gjatë karrierës dhe jetës së tij, “Pibe de Oro” ka pasur shumë makina të tjera, tejet më performuese se Fiat 128, por sedani i vogël nga Torino mbetet ende një mit, ashtu si pronari i tij.

Ky Fiat, gjurmët e të cilit humbën në një moment, u gjet më vonë në vitin 2003 si shumë “kolegë” të tjerë të cilësisë së mirë në një hangar pulash, në qytetin argjentinas Salto, nga Martin Varrone, koleksionist makinash dhe pronari aktual.

Makina ofrohet në ankand, por si NFT, ose “Non Fungible Token”. Në praktikë, kjo do të thotë se 128 e Maradonës është zyrtarisht një vepër arti dhe kriptomonedhë që mund të rritet në vlerë me kalimin e kohës. Autenticiteti i makinës garantohet me kupon dixhital. Duhet theksuar se në blerjen e NFT përfshihet edhe 128-shi i vërtetë i “Diez”.

Duket se operacioni është miratuar nga menaxheri i Maradonës, avokati Matias Morla, por makina nuk do të mund të përdorë as emrin dhe as imazhin e ish-kampionit të Napolit. Kjo është arsyeja pse modeli është zyrtarisht në shitje si “El Primer Auto D10S”.

 

 

Jemi gati të vëmë bast se shumë do të luftojnë për ta marrë atë në shtëpi deri më 15 shkurt 2022, datën e mbylljes së ankandit. Pika e fillimit të ankandit është në fakt 400.000 dollarë (rreth 355.000 euro).

Diego Armando Maradona ndërroi jetë për shkak të një krize kardio-respiratore në nëntor 2020. Kampioni argjentinas, Zoti i futbollit të viteve 80-të, ndërthuri gjestet e çmendurisë së kthjellët dhe fantazisë ekstreme në fushat e futbollit, duke emocionuar të gjithë dashamirët e sportit magjik. Pa kufij në fushën e lojës, ashtu si në jetën private, i karakterizuar nga dashuria për makinat e fuqishme dhe të shpejta.