Rajoni

Dekorata “Dr.Ibrahim Rugova” për gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark!

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, sot u nderua në Prishtinë me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova” dhe që iu akordua nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], për rolin e ish-ushtarakut të lartë në çlirimin e Kosovës. Kujtojmë se Clark ka drejtuar fushatën ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake serbe në vitin 1999. Bombardimet e Aleancës Veri-Atlantike zgjatën 11 javë dhe u kryen për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në fjalën e rastit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se emri i Wesley Clark-ut është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së Kosovës ndërsa e falënderoi në lidhje me mbështetjen e ofruar ndër vite. Abdixhiku deklaroi:

Në momentet më të errëta, në synimet tona për liri, vendimet tuaja na kanë dhënë shpresë dhe forcë. Udhëheqësia juaj gjatë intervenimit të NATO-s, ka qenë pikë kthese. Ajo nuk ka ndryshuar vetëm historinë tonë, por ka shpëtuar jetë të panumërta.

Abdixhiku i kërkoi Clark-ut që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për forcim të mëtejshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetë Clark vuri në dukje se impresionohet sa herë që viziton Kosovën.

Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me Amerikën dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë për ju, për përparimin që keni bërë e për shembullin që keni treguar.

Bombardimet e NATO-s në vitin 1999, ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnjë-Hercegovinë. Por, duhet theksuar se ka qenë hera e parë që në historinë e saj të atëhershme 50 vjeçare, Aleanca ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

NATO i pati ndërprerë sulmet ajrore pas plot 78 ditësh, përkatësisht në datën 10 qershor të vitit 1999 apo një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Me këtë akord të negociuar ndërmjet Aleancës e zyrtarëve ushtarakë jugosllavë të kohës, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e drejtuar nga Aleanca Veri-Atlantike.