Volodymyr Zelensky ka thënë se beson se Donald Trump dëshiron një fund të shpejtë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por kjo nuk do të thotë se do të ndodhë domosdoshmërisht.
Presidenti ukrainas tha se nuk ka dijeni për ndonjë detaj apo plan për t’i dhënë fund luftës së shpejti dhe nuk ka diskutuar propozime me Trump.
Duke folur me gazetarët në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, Zelensky tha gjithashtu se bisedat për futjen e një armëpushimi pa rënë dakord më parë për garancitë e sigurisë për Ukrainën janë “shumë të rrezikshme“.
“Një armëpushim kur nuk ka garanci sigurie… është një përgatitje për vazhdimin e okupimit,” tha ai.
Trump ka kritikuar në mënyrë të përsëritur ndihmën e SHBA-së për Ukrainën dhe ka pohuar se ai do t’i jepte fund luftës shpejt, megjithëse ai kurrë nuk ka thënë se si dhe disa kanë frikë se do të përfshinte koncesione të tokës ukrainase si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.
“Plani i paqes” i Donald Trump për t’u dhënë fund luftës në Ukrainë mund të përfshijë një kërkesë për të mohuar anëtarësimin në NATO për 20 vjet, si dhe për të konsoliduar vijën e frontit siç është sot pa kthimin e territoreve të pushtuara nga Rusia ose kthimin e vetëm një të pestës së tyre, sipas Wall Street Journal.
Presidenti i zgjedhur i SHBA-së ka premtuar t’i japë fund luftës që ka shpërthyer për gati tre vjet në Ukrainë – dhe tani edhe në Rusinë jugore – por kur u pyet se si do ta bëjë këtë ai nuk është përgjigjur. Por sipas gazetës amerikane, plani i Trump përfshin ngrirjen e frontit dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar 1300 km të gjatë.
Mbetet e paqartë se kush do të kontrollonte zonën e çmilitarizuar prej 1300 kilometrash, por një ndihmës i i Trump i tha ëSJ-së se Uashingtoni do t’u kërkonte aleatëve evropianë të dërgonin trupat e tyre.