Top Arena është një emision i dedikuar kampionateve më të rëndësishme të futbollit, Kupa e Botës dhe Kampionati Europian i Futbollit. Që prej vitit 2006 Top Channel organizon në verë një emision të dedikuar këtyre eventeve të mëdha të futbollit. Edhe këtë vit gjatë muajve qershor-korrik çdo natë do jemi me TOP ARENA për të ndjekur nga afër Kampionatin Europian EURO 2024 që zhvillohet në Gjermani. Këtë edicion Europiani merr më shumë vlerë për pjesëmarrjen e Kombëtares shqiptare.
Top Arena nisi ndryshe këtë mbrëmje, në nder të mjeshtrit të penës, Ismail Kadare. Ai mbylli sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të hëne. Në nder të tij Top Arena zhvilloi homazhe nën ritmin e fjalëve të shkruar nga i madhi Kadare.
Homazhet për kolosin e letrave shpiqe, Ismail Kadare, që u nda nga jeta mëngjesin e së hënës do të zhvillohen paraditen e së mërkurës. Në nderim të shkrimtarit 88-vjeçar që konsiderohet nga shumë miq të tij si “fenomeni Kadare” do të organizohet një ceremoni shtetërore, por detajet mbeten ende të pazbardhura. Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.