Sport

Debutimi në Champions, Mota: Juventus nuk ka presion

Juventusi rikthehet të luajë në Ligën e Kampioneve, ndërsa Tiago Mota do të bëjë debutimin absolut në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Europë.

Përballë “Zonjës së Vjetër” në Torino do të udhëtojnë kampionët e Holandës, PSV-ja. Në prag të kësaj sfide tekniku bardhezi së bashku me mesfushorin Manuel Lokateli kanë treguar për mediat pritshmëritë, duke mos e fshehur objektivin për të dalë nga kjo ndeshje me tre pikë.

“Është një krenari e madhe, për më tepër që do të luajmë në shtëpi kundër një skuadre të mirë. Mezi po pres që të fillojë ndeshja. Do të jetë një takim i bukur ku duam të bëjmë një paraqitje të madhe për të dalë me rezultatin në favorin tonë”, u shpreh fillimisht Tiago Mota.

PSV- “E rëndësishme është që të kemi respekt për të gjithë kundërshtarët. Ne duhet të mendojmë për veten dhe për atë që duhet të bëjmë në fushë. Ata janë një skuadër që janë mësuar të kenë kontroll të lartë të topit, prandaj ne duhet të rikuperojmë shumë dhe të jemi të mirë në manovrën e lojës”.

FORMATI I RI- “Formati i vjetër më pëlqente shumë, por edhe ky tani. Ndryshon fakti që do të përballemi me më shumë skuadra të ndryshme, por është format i bukur dhe stimulues. Për kampionatin nuk mendoj se do të na ndikojë.