Bota

Debati Walz-Vance/Dominuan çështjet e brendshme dhe Lindja e Mesme!

Në të parin dhe të vetmin debat mes dy kandidatëve për zv.president në SHBA, demokrati Tim Walz dhe republikani JD Vance shprehën mospajtimet e tyre për krizën në Lindjen e Mesme. Gjithashtu mbi emigracionin, taksat, ndryshimet klimatike dhe energjinë. Gjysma e parë e debatit u shoqërua nga kundërshtitë politike e sulme të lehta personale.

Shkëmbimi më i tensionuar ndodhi afër fundit të debatit, kur republikani Vance, i cili ka thënë se nuk do të kishte votuar për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, shmangu pyetjen nëse ai do të sfidonte votimet e nëntorit në rast se Trump humb. Analistët thonë se debatet mes kandidatëve për zv.president mund të jenë të zjarrta por në përgjithësi nuk ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Dy rivalët i përqendruan kritikat jo edhe aq te njëri-tjetri sa te shefat e tyre. Vance pyeti se përse Harris nuk bën më shumë për të trajtuar inflacionin, emigracionin dhe ekonominë, teksa shërben si zëvendëse e presidentit Joe Biden.

Nëse Kamala Harris ka plane aq të shkëlqyera për trajtimin e problemeve të klasës së mesme, atëherë ajo duhet t’i realizojë ato tani. Jo ndërsa përpiqet të promovohet, por në punën që populli amerikan i ka dhënë tre vjet e gjysmë më parë.

Ish-presidentin Trump, Walz e përshkroi si udhëheqës të paqëndrueshëm, që siç tha, iu ka dhënë përparësi miliarderëve. Ai e kritikoi për presion ndaj republikanëve në Kongresin Amerikan, për të hequr dorë nga një projekt-ligj dypartiak mbi sigurinë kufitare, më herët këtë vit.

Shumica prej nesh duam ta zgjidhim këtë. Donald Trump kishte katër vjet kohë për ta bërë dhe ai, ju premtoi juve, amerikanë, se do të jetë e lehtë.

Një çështje tjetër e zëshme në politikën e brendshme amerikane, janë të drejtat për abort. Demokratët shfaqen kryesisht, më të hapur, por republikanët, më konservatorë.

Vance, senator i Shteteve të Bashkuara tha se nuk e mbështet ndalimin kombëtar të abortit edhe pse më herët e ka bërë një gjë të tillë. Ai u shpreh se qëndrimi i Trump-it është se shtetet individuale duhet të vendosin nëse do ta kufizojnë abortin ose jo.

Debati në Qendrën e Transmetimeve të CBS-it në Nju Jork u mbajt në ditën kur kriza në Lindjen e Mesme u përshkallëzua dukshëm, pasi Izraeli vazhdoi sulmet në Libanin jugor dhe Irani, në shenjë hakmarrjeje, sulmoi me raketa Izraelin.