MTV ka shtyrë me një ditë çmimet e saj vjetore Video Music Awards (VMA) për të shmangur përplasjen me debatin presidencial të SHBA. Ish-presidenti Donald Trump dhe zv.presidentja Kamala Harris ranë dakord javën e kaluar të përballen me njëri-tjetrin në një debat televiziv më 10 shtator.
VMA-të tashmë ishin planifikuar për atë datë, por transmetuesi MTV ka njoftuar se ceremonia tani do të zhvillohet natën e ardhshme. Nëse të dyja eventet do të zhvilloheshin në të njëjtën mbrëmje, me siguri do të kishte dëmtuar shifrat e shikueshmërisë për të dy ngjarjet, por veçanërisht VMA-të.
Interesi për debatin ka të ngjarë të jetë shumë i lartë, veçanërisht pasi është i vetmi i planifikuar aktualisht mes dy kandidatëve presidencialë. Por, përplasja do të kishte krijuar gjithashtu një problem imazhi për MTV, sipas Billboard, për shkak të përpjekjeve të rrjetit për të rritur pjesëmarrjen në votime.
MTV ka inkurajuar audiencën e saj që të angazhohet më shumë me politikën si pjesë e markës së saj që nga zgjedhjet e vitit 1992, në të cilat Bill Clinton rrëzoi George HW Bush. Përveç debatit presidencial që do të organizohet nga ABC, Trump ka sugjeruar dy debate të tjera të organizuara nga Fox News dhe NBC. Harris ka treguar se do të ishte e hapur për më shumë debate, por asnjë nuk është konfirmuar ende.
Ndërkohë, Taylor Swift kryeson në ceremoninë e sivjetme të VMA-së, me 10 nominime duke përfshirë artisten, videon dhe këngën e vitit. Në ceremoninë e vitit 2023, Swift fitoi nëntë çmime nga 11 nominime, duke përfshirë videon e vitit për “Anti-Hero”. Nga ana tjetër, Post Malone ka nëntë nominime këtë vit, ndërsa Ariana Grande, Eminem dhe Sabrina Carpenter kanë nga gjashtë. Të nominuarit e tjerë përfshijnë Megan Thee Stallion, SZA, Teddy Swims, LISA dhe Dua Lipa. Ceremonia do të zhvillohet të mërkurën më 11 shtator.