Nën drejtimin e kryetares Albana Vokshi, sot u zhvillua mbledhja e parë e “Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi” në Kryesinë e Kuvendit. Në pikën e parë të rendit të ditës ishte konstituimi i këtij Komisioni. Mbledhja nisi me përplasje mes kryetares së Komisonit, demokrates Albana Vokshi dhe zv/kryetarit socialist, Plarent Ndreca.
Nga deputetët e Partisë Socialiste, Vokshi kërkoi që të mos bëhen mburojë e korrupsionit:
Uroj që të gjithë anëtarët e këtij komisioni të mos bëhen mburojë e këtij korrupsioni. Mos përdorni kartonat kundër interesit publik, sepse me 200 milion euro, mund të ishin ndërtuar dhjetëra spitale ultramodernë e qindra qendra shëndetësore, si dhe të dyfishoheshin pagat e mjekëve.
Ndërkaq, Ndreca kërkoi që të mos paragjykohet puna e Komisionit, si dhe të pritet vendimi i zbardhur i seancës plenare, përpara se të vijojë puna e komisionit. Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi zv.kryetarin Plarent Ndreca se ka konflikt interesi në këtë komision, por Ndreca u shpreh se nuk ka e theksoi:
Unë kam që të gjithë kapacitetin profesional për ta vlerësuar vetë nëse kam ose jo konflikt interesi. Nëse do të ketë një të tillë, por siç e gjykoj unë, nuk ka një tillë, sepse ato që janë objekt hetimi i prokurorisë, edhe sot në dijeninë time kanë shkuar e kanë marrë edhe vendimin për mbylljen e hetimeve, nuk janë objekt i veprimtarisë së këtij komisioni.
Kryetarja Albana Vokshi u shpreh se, të gjithë anëtarët duhet të firmosin një deklaratë për moskonfliktin e interesit me këtë komision, çka bëri që deputeti i Partisë Socialiste, Klevis Xhoxhi të vinte në dukje se “kjo mbledhje që duhej të ishte formale u kthye në propagandë partiake”.
Përgjatë 4 muajve, komisioni i drejtuar nga Vokshi, pritet të bëjë hetimin parlamentar të dy koncesioneve të dhëna në shëndetësi: Sterilizimin dhe Check-Up e që gjithashtu janë nën hetim edhe nga organet e drejtësisë. Ngritja e tij, si dhe e komisionit tjetër për të dhënat e sistemit TIMS ishin mes kushteve të opozitës, deputetëve të afërt me Sali Berishën për t’i dhënë fund aksionit opozitar duke lejuar zhvillimin e punimeve normale të Kuvendit të Shqipërisë.
Rithemelimi fali koncesionet e dializës e të laboratorëve, të lidhura me Spitalin Amerikan.
Pjesë nga debati:
Vokshi: Po të duroni…
Ndreca: Po bën konferencë për shtyp, atëherë të ikim ne… Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë kjo mbledhje për arsye se thjesht dhe vetëm referuar deklaratave, ju e keni paragjykuar veprimtarinë e këtij komisioni, keni fyer një parim kushtetues, për të mos u paragjykuar.
Nëse vijojmë me deklarata politike partiake, nëse bëjmë deklarata, ndërkohë që jemi këtu për një proces të rregullt ligjor, e kemi nisur me një këmbë jo të mbarë.
Në lidhje me konstituimin, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare dhe nuk e di sa është e mundur pa një vendim të zbardhur. Do të ishte korrekte të kishim një vendim të zbardhur. Duhet të ezaurojmë pikën e parë e që ka lidhje me zbardhjen e vendimit.
Vokshi: Kam diskutuar me Drejtoreshën Juridike, vendimi është zbardhur, por është vetëm çështje numri në vendimin për ngritjen e komisionit. Kur kjo nuk prek thelbin, unë nuk gjykoj se duhet të presim një numër. Nuk mendoj se përbën arsye për të vonuar punën e komisionit.
Nëse keni ardhur për të bërë zhurmë… Pak respekt, do ta merrni fjalën. Me qetësi se e sqaron vetë, kemi rrugë të gjatë para, mos e nisni që sot…
Ndreca: Ju jeni spikere në këtë komision, ky komision ka edhe një bashkëkryetar.
Vokshi: Ka një kryetar dhe në mungesë…
Ndreca: Pse e dhunoni fjalën time, a mund ta mbaroj?
Vokshi: E kuptoj detyrën që ju kanë dhënë, futuni në thelb!
Ndreca: Mos më ndërprisni! Unë e kam shumë të thjeshtë vendimmarrjen, unë nuk marr pjesë në këto lloj komisionesh që dhunojnë hapësirën. Ju vijoni me argumenta partiake, me konkluzione akoma pa nisur punën, na kanë ardhur në majë të hundës. Ne nuk e dimë ende çfarë po hetojmë.
Vokshi: Kur unë të mos jemi do të jeni juve këtu që ta drejtoni…
Zhupa: Ju jeni avokat i një prej personave të përfshirë në këtë aferë. Le të pyesim SPAK-un, nëse Ndreca ka qenë avokat e me këtë qartësojmë.
Ndreca: Duket që keni një merak, duhet t’jua marrë mendja që unë jam më i aftë se juve për ta kuptuar këtë gjë.
Vokshi: Do jua heq fjalën, përmbajuni Kodit të Etikës, bëni sqarimet e konfliktit të interesit!
Ndreca: Unë nuk thashë asnjë fjalë jo etike.
Vokshi shtoi se do të thërrasin për të pyetur edhe kryeministrin Edi Rama.