Pas vendimit të Gjykatës Administrative që shfuqizoi dënimin e deputetëve të opozitës, Gazment Bardhi kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentares Elisa Spiropali. Ndërsa ka debate në Kuvend, socialistët po theksojnë se i zbatojnë vendimet e gjykatave por kanë rezerva duke deklaruar se Administrativja hyri në kompetencat e parlamentit. Niko Peleshi akuzoi opozitën për dy standarde. “Mos digjni karriget kur s’ju pëlqen vendimi i gjykatave”, deklaroi kryetari i grupit socialist.
Gazment Bardhi deklaroi:
Duhet të dorëhiqeni nga funksionet se për 30 ditë keni penguar opozitën pa ligj dhe rregullore, me urdhër të krimit që të mos marrë pjesë në seancat plenare. Në kundërshtim me vendimet e Kushtetueses, Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, deputetëve të opozitës iu keni vënë kangjella hekuri. Në shkelje të ligjit keni futur forcat speciale për të ndaluar në Kuvend deputetë e opozitës.
Niko Peleshi:
Për shkak të një vendimi gjykate, sot jeni këtu. Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit. Nuk mund të hyjë dot në vendimet kolegjiale të Kuvendit, sidomos masat disiplinore. Por ne kemi standard tjetër, pavarësisht flagrancë së një vendimi të Administratives që ndryshon një vendim organi kolegjial. Por ne jemi këtu dhe ju këtu duke diskutuar bashkë.
Ta kalojmë diskutimin e masave disiplinore se s’kanë sens e të vazhdojmë me diskutimet për buxhetin. Kemi kohë për të diskutuar e jo debatuar.
Me vendimet e gjykatave ka dy standarde. Duhet ta vendosim do t’i njohim apo jo… Të mos djegim karriget kur nuk na pëlqejnë. Ky është precedent, që Gjykata Administrative merr atributet e Kuvendit dhe vendos.
Vendimi i gjykatës nuk ka rrëzuar vendimin e Etikës por e ka quajtur të drejtë, thjesht ka ndryshuar datat. Në vlerësimin tim ka bërë vendim të gabuar se ka hyrë në territorin tonë por kjo s’ju jep të drejtë të digjni karriget. Nderojeni foltoren në dispozicion të përfaqësuesve, qytetarëve. Buxheti është fusha e betejës për dyja palët, jo vetëm për maxhorancën dhe jo për opozitën.
Më herët, deputetja demokrate Ina Zhupa foli lidhur me përjashtimin e deputetëve të opozitës duke akuzuar kryeparlamentaren Spiropali se i ka dënuar pa ligj. Zhupa tha se duhet të hapet rruga për qeveri teknike. Deputeti socialist, Toni Gogu u shpreh se “opozita nuk ndez më me ide, ndaj ndez karrige dhe godet me këmbët e karriges kryetaren e Kuvendit”.