Aktualitet Politikë

Debate në Kuvend mbi ndryshimin e ligjit për Gardën e Republikës!

Opozita tha në Kuvend se ndryshimi i ligjit për Gardën e Republikës “u bë me sponsorizim”. Gazment Bardhi deklaroi:

Më 10 shtator 2024, ministri i Brendshëm njoftoi zgjedhjen e drejtorit të Gradës së Republikës me garë. Në fakt, në mars të vitit të kaluar kur ju miratonit ndryshimet për Gardën e Republikës, ju kam thënë që është investim për të zgjedhur një njeri që vjen nga jashtë sistemit.

E votuat me urdhër të Ramës dhe gjashtë muaj më vonë u zgjodh emri që jua thamë edhe ne e për të cilin u ndryshua ligji. Nuk ka akt më korruptiv se të detyrosh deputetët e maxhorancës të votojnë për interesat e një personi. Ngrini një komision etike për të vërtetuar si u sponsorizua ligji!

Ky shqetësim i kryetarit të grupit demokrat u shpreh para se të niste interpelanca e tij me kryeministrin Rama për mbetjet e Kurumit. Bardhi tha se “shteti shqiptar nuk kishte autorizim nga vendi pritës për mbetjet toksike.

Bardhi: Ku do t’i çosh mbetjet? Si do t’i përpunosh këto mbetje? Apo do t’ja dorëzosh këtë punë krimit të organizuar? Gjysmën ia kishte shkruar Belinda, gjysmën Kumbaro dhe nuk dinte çfarë lexonte. Jo, nuk lejohet as të bëhet transporti i mbetjeve të rrezikshme nëse nuk ke marrë autorizim nga vendi pritës. Fakti është se nuk kishe leje nga vendi pritës. Duhet autorizim nga ministrja e Mjedisit.

Çdo kompani që merr përsipër për të transportuar mbetje të rrezikshme duhet të marrë leje te Ministria e Mjedisit që merr aprovimin e vendit pritës. Çfarë i kë bërë Kurumit? Ke marrë vendim kundër Kurumit? Këtë kompaninë Sokolaj që e çoka kokainën për miell, a ke marrë masë ndaj saj? Nëse nuk di çfarë bëhet, ik nga aty ku je ulur! Nëse punë është që të marrësh urdhra nga krimi i organizuar, shqiptarët nuk kanë nevojë për një qeverisje të tillë.

Rama deklaroi se nuk janë eksportuar mbetje të rrezikshme, si dhe ironizoi Bardhin kur i tha se i “heq mallin e Lulit”.

Rama: Mua më dual malli i të shkretit Lul, tutorit të mëparshëm të këtij figurës që foli dhe ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi mes nesh që flasim me fakte e këtyre që nuk dinë çfarë flasin. Thashë që këto mallra nuk kategorizohen te mbetjet e rrezikshme.

Bardhi: Ti ke tutor bandat, Bajrin, Gjokën.

Në këto çaste, Kuvendi po vijon punimet me një interpelancë të kërkuar po nga opozita me zv.kryeministren Belinda Balluku për aksin Thumanë-Kashar.